A1 Report - 30 vjet nga revolta ne Puke,Blloshmi: Rishikoni ligjin per te perndjekurit

2015-08-22 9

PUKE-Është përkujtuar 30-vjetori i revoltës së 500 të burgosurve në ish-burgun e Qafë-Barit në Pukë, e cila ka përfunduar në mënyrë tragjike. Të pranishëm në përkujtimin e kësaj kryengritje ishin familjarë të dy prej të ekzekutuarve Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, ish- të dënuar, si dhe të afërm të të burgosurve dhe të ekzekutuarve në këtë burg famëkeq. Nga Qafa e Barit Drejtori i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, Bedri Blloshmi i ka bërë apel qeverisë që të mos i harrojë premtimet që ka dhënë ashtu siç i harroi qeveria e mëparshme.

"Edhe sot pas 23-vjetësh këta heronj të vërtetë nga kjo e ashtuquajtur demokraci mbetën të cilësuar terrorista e thënë troç me ligjin e miratuar për integrimin dhe dëmshpërblimin ekonomik nga binjtë e sekretarëve të parë, këlysh të tjerë të komunimizmit dhe të sigurimit të shtetit nuk përfitojnë. Ky ligj duhet parë, të gjendet një klauzolë që gjaku i këtyre martirëve të mos shkoj i humbur,"-është shprehur Blloshmi.

Prej vitesh, ish-burgu i Qafë-Barit ka mbetur i braktisur, duke u dëmtuar pak nga pak e ditë pas dite, si dhe duke tretur edhe ato pak gjurmë të mbetura të krimit. Ndaj, të mbledhur në këtë mjedis, ish të burgosurit politikë të Qafë-Barit kërkuan që, sa më shpejt, burgu i Qafë-Barit të shndërrohet në një muze të krimeve të komunizmit.