Lëshohet në përdorim rruga që lidh komunën e Likovës, me fshatrat e Malsisë së Karadakut. Kjo rrugë me gjatësi prej 3 kilometra e gjysmë, do të lehtësojë lëvizjen e banorëve të fshatrave malore si Gushincë, Llukarë, Malinë, Brezë e Tanushë, të cilët me vite të tëra kanë patur probleme për të lëvizur për shkak të ndryshimeve klimatike dhe rrugës së keqe.
"Me këtë infrastrukturë besoj që Komuna e Likovës më nuk do të quhet zorrë qorre. Urime kjo rrugë ju qoftë për hajr të gjithë qytetarëve dhe banorëve të Republikës së Maqedonis dhe dalëngadalë edhe lidhjen me Kosovën", tha Sadulla Duraku, kryetar i komunës së Likovës.
Rruga e ndërtuar është pjesë e projektit të Bashkimit Evropian për bashkëpunim ndërkufitar dhe zhvillim të turizmit rural.
"Përshëndes përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për kontributin që japin, së pari për ndërtimin e kapaciteteve për projektimin e këtyre projekteve që mund ti shfrytëzojnë komunat e tona në kuadër të projekteve për bashkëpunim ndërkufitar siç është rasti me Maqedoninë dhe Bullgarinë", tha Musa Xhaferi, zv/kryeministër.
"Ky projekt është në dobi të qytetarëve dhe banorëve të këtij rajoni. Është shumë me rëndësi të kemi një mjedis jetësor të pastër, jo vetëm për fshatin por edhe për rrethin më të gjerë. Ndokush mund të thoshte se kemi nevoja dhe ambicie të mëdha por do të thosha se ambiciet tona nuk kanë kufi", deklaroi Robin Lidll, zv/ambasador i BE-së në Maqedoni.
Vlera e kësaj rruge kap shifrën e 217 mijë euro, 85 për qind e tyre janë ndarë nga Bashkimi Evropian kurse pjesa tjera nga autoritetet vendore. Ferikan Iljazi