DURRËS - Pasqyrimi i turizmit shqiptar është qëllimi i vizitës së 180 studentëve të Universitetit të Turizmit në Holandë, të cilët kanë mbërritur në Durrës, ndërsa rezultatet e inspektimit ata do t'i dorëzojnë pranë pedagogëve të tyre.
Ata përveç studimit të turizmit bregdetar do të njihen nga afër edhe me atë malor, ku janë parashikuar udhëtime në kanionet e Osumit dhe vizita në Llogara dhe kepin e Rodonit.
Të rinjtë nga vendi i tulipanëve e kanë shfrytëzuar pasditen e djeshme me diell dhe pa u sistemuar ende mire në hotel kanë veshur kostumet e banjos dhe janë larë në plazhin e Durrësit.
"Këtu kemi ardhur pak për t'u argëtuar dhe për të përfunduar një detyre kursi që kryefjale do ketë turizmin shqiptar.
Ndërkohë bukuritë që ne pikasëm këtu do t'i ndajmë edhe me komunitetin tonë. Durrësi është një qytet i bukur dhe një bregdet fantastik, ndërsa Shqipëria një vend më reliev të mrekullueshëm" --shprehen studentët holandez
Mësohet se grupi prej 180 pjesëtaresh do të qëndrojë 5 ditë në vendin tonë.
Ndërkohë nuk kanë munguar edhe vërejtjet e studentëve holandezë lidhur me atë që ka ngjarë me plazhin e Durrësit, teksa kritikat e para kanë të bëjnë me ndërtimet masive në breg të detit.
Studentët holandeze do të kenë pranë tyre, gjatë gjithë ditëve të qëndrimit në vendin tonë, edhe Agjencinë Kombëtare të Turizmit e cila do tu vëre ne dispozicion të dhëna për gjithçka që lidhet me turizmin shqiptar.