TIRANË - Ndarja e re territoriale e Shqipërisë pritet të jetë me 47 njësi vendore, numër ky që përkon me variantin e tretë nga pesë të tillë të paraqitur nga Qeveria. Gjatë mbledhjes pa praninë e medias të Komisionit të Reformës Territoriale, Ministri për Çështjet Vendore Bledi Çuçi, në prani të Kryeministrit Rama, i ka prezantuar deputetëve të PS-së dhe LSI-së, pesë variantet e ndarjes terrirtoriale.
Pas diskutimeve në Komision, burimet bëjnë me dije se varianti që ka marrë më shumë mbështetje është i treti, ai që ndan vendin në 47 njësi vendore. Por, krah këtij varianti qëndron edhe ai me 39 njësi.
Në variantin e tretë, njësitë vendore parashikohet që të kenë më pak popullsi dhe më pak territor. Sipas tij, shtohen si njësi më vete, Vau i Dejës, Shijaku, Kamza, Cërriku, Divjaka, Patosi, Gramshi, Maliqi. Në këtë variant fillon dhe del si njësi më vete dhe Himara, e cila parashikohet të bashkohet me Vranishtin dhe Lukovën.
Ndërsa varianti i dytë parashikon që ta ndajë vendin në 39 njësi, duke ndarë Hasin nga Kukësi, Kurbinin nga Mirdita, Bulqizën nga Dibra, Peqinin nga Elbasani, Mallakastrën nga Fieri, Kuçovën nga Berati, Devollin nga Korça, Tepelenën nga Gjirokastra dhe Delvinën nga Saranda.
Harta e re territoriale do të hidhet në votim brenda këtij sesioni parlamentar për të shkuar drejt zgjedhjve vendore të 2015-ës me një ndarje të re administrative.