Atmosferë e tensionuar ka mbretëruar mbrëmë edhe në Saraj, ku ishin tubuar banorët pas paralajmërimeve se protestuesit nga Gjorçe Petrovi ishin nisur në drejtim të lagjes së tyre, e që fatmirësisht u ndalën nga policia. Sot edhe aty situata ishte e qetë, ndërsa banorët thonë se nuk kanë pasur probleme, por situata e tensionuar është ndjerë edhe në vendbanimet e tyre.
"Neve na erdh keq të gjithëve, edhe pse është maqedonas na erdh keq edhe për atë, por ato që bënë probleme tani me këto trazirat nuk e kanë bërë mirë. Njerëzit normal ishin të revoltuar të gjithë. Sot është më e qetë pak puna, kështu që ishalla bëhet më mirë".
"Situata është e qetë këtu në Saraj, nuk ka asgjë".
Banorët shpjegojnë gjithashtu se për shkak të situatës së krijuar, gjimnazistët e Sarajit nuk kanë ndjekur mësimin në shkollat e mesme dy ditët e fundit, për të evituar rrezikun nga incidentet në autobusë.
"Ajo vajza e djalit është e regjistruar në medicinë, mbrëmë e pa në internet, profesoresha u ka shkruar të mos shkojnë në shkollë".
Situata mbrëmë në Saraj u qetësua pas apeleve të shumta të autoriteteve se gjendja është nën kontroll, dhe se policia ka siguruar hyrje-daljet për në Saraj. Ndërkaq sot kryetari i Komunës Bekim Murati u bëri sërish apel qytetarëve që të jenë të qetë pasi që sipas tij nuk ka vend për shqetësim.
"Dëshiroj të apeloj banorët e komunës së Sarajit që në asnjë mënyrë të mos jenë pre e provokimeve të ndryshme, pre e dezinformatave të ndryshme, pasi ne si Komunë bashkë me MPB-në jemi në kontakt permanent dhe i kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që ata të ndjehen të sigurt, dhe ajo që ka ndodh këtyre dy ditëve në Komunën fqinje të Gjorçe Petrovit dhe tentativat e tyre për të provokuar dhe për të sulmuar persona të pafajshëm që kanë lëvizur asaj periudhe, të mos ndodhin më asnjëherë", deklaroi Bekim Murati, kryetar i Komunës së Sarajit.
Ndërkohë tensionet në Gjorçe Petrov diktojnë atmosferë të tendosur edhe në Nerezin fqinj. Banorët thonë se është qetë, por përcjellin me vëmendje se çfarë ndodh në rrethinën e tyre.
"Kemi pas shqetësime, kemi ndejt deri në ora 1, 2... Kemi prit mos ka ndonjë problem".
"Nuk kemi qetë rehat. Jemi frikësuar mos të na ndodh diçka, nuk kemi flejt rehat këto dy net".
Sidoqoftë banorët shqiptarë të kësaj lagjeje, kafenë e mëngjesit të sotëm e pinin në tavolinën e njëjtë me bashkëqytetarët maqedonas.
"Mirë është, super. Gjithmonë jemi bashkë, nuk ka kurrfarë probleme".
"Nuk ka kurgjo, ne me vendasit maqedonas nuk kemi probleme, asnjëherë nuk kemi pasur".
Banorët e të gjitha vendbanimeve që vizitoi ekipi ynë, vlerësojnë se vrasjes nuk duhet ti jepet konotacion ndëretnik, por të zgjidhet sipas ligjit, sikur edhe çdo vrasje tjetër. Benjamin Arifi