TIRANE- Celula e muxhahedinëve që dërgonte luftëtarë shqiptarë drejt betejave të përgjakshme në Siri, është zbuluar fare rastësisht nga një hetim që prokuroria e Elbasanit kishte nisur në 2013, për trafikimin në Maqedoni të rreth 16 armëve, ku 9 prej tyre gëzonin statusin e "Trashëgimisë kulturore". Gazeta "Shqiptarja.com", zbulon sot dokumentat që tregojnë hetimin për zbulimin e personave që kërkonin të trafikonin armët kundrejt shumës prej 10 deri në 12 mijë euro. Këto armë ishin vjedhur në Muzeun Etnografik të qytetit të Elbasanit.
Personat e dyshuar dhe që janë mbajtur në vëzhgim me urdhër të prokurorit Bledar Mustafaraj, kanë qënë shtetasit maqedonas, Edip Kurtishi, Minir Osmani dhe shtetasit shqiptarë Ermir Bego me pseudonimin "Rambo" nga Cërriku, Gerti Pashja, Sazan Hoxha, Artil Met'hasa, Artur Korra dhe Erzen Gashi. Nga bisedat e përgjuara mes këtyre personave dhe Gert Pashjas, janë interceptuar komunikime që tregonin interesimin për rekrutimin e personave dhe dërgimin e tyre në Turqi dhe më pas në luftën e Sirisë, duk ju bashkuar grupit terrorist "Al-Nusra". Tashmë të gjitha këto dokumenta që boton sot gazeta "Shqiptarja.com" janë administruar në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila procesverbalet e përgjimit i ka paraqitur si prova gjatë caktimit të masës së sigurisë ndaj të arrestuarve, të celulës së muxhahedinëve që drejtohej nga Genci Balla dhe Bujar Hysa.
Dy luftëtarë në Siri
Në raport shërbimin e mbajtur nga oficerët e SHISH, 8 muaj pas fillimit të hetimeve në prokurorinë e Elbasanit, rezulton se dy të dyshuarit e implikuar në trafikun e veprave të artit Artur Korra dhe Erzen Gashi, ndodhen në luftën Siriane. Emrat e tyre janë mes 65 shqiptarëve që Shërbimi Informativ Shtetëror ka listuar dhe dërguar Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Tashmë Gashi dhe Korra, ndodhen në Siri dhe se sipas raport shërbimeve të SHISH, ata janë pjesë e grupit terrorist "Al-Nusra". Dërgimi i tyre në Siri është bërë nga dy imamët Genci Balla dhe Bujar Hysa.
Armët nën tokë
Mbi bazë të informacioneve të marra në rrugë të ligjshme nga sektori kundër trafiqeve të Drejtorisë së Policisë Elbasan, rezulton se shtetasi Gerti Pashja, banor i qytetit të Peqinit që nga muaji Korrik i vitit 2012 ka shfaqur interes në shitjen e disa objekteve të vjedhura në Muzeun Etnografik të qytetit të Elbasanit dhe konkretisht disa armëve të vjetra. Nga informacionet rezulton se ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin Artil Met'hasa dhe Sazan Hoxha kanë tentuar që këto sende me vlerë t'i shesin në shtetin maqedonas.
Nga informacioni i grumbulluar në rrugë ligjore rezulton se shtetasit e mësipërm janë takuar dhe kanë biseduar në lidhje me shitjen e këtyre objekteve me shtetasit maqedonas Edip Kurtishi dhe Minir Osmani. Nga verifikimi i bërë shtetasit Ermir Bego rezulton se ai është shtetasi Vasil Bego, i datëlindjes 1975 dhe është banor i qytetit të Cërrikut. Ky shtetas në bisedat e kryera rezulton se ka dhënë informacione se ka në banesën e tij në qytetin e Peqinit...