TIRANË -- Një përfaqësi e të larguarve nga adminsitrata prej 12 personash, kanë tentuar të hyjnë në grevë dhe të ngrejnë një "çadër urie" pranë kryeministrisë, por pa marrë më parë leje në Polici. Në këto kushte, uniformat blu të kryeqytetit kanë shoqëruar në komisariat dy persona të cilët sollën pranë tyre batanije, jastëk dhe çadrën që do të ngrihej mes kryeministrisë dhe Piramidës.
A1 REPORT trasnmetoi Live momentin e shoqërimit të dy personave nga forcat blu të kryeqytetit, ndërsa Kryetarja e Shoqatës për mbrojtjen e të shkarkuarve nga puna, Nertila Qafzezi ka kundërshtuar policinë në këtë aksion, duke mos i lejuar të marrin sendet e sjella, të nevojshme për të ngritur çadrën.
Shefi i Komisariatit numër 1 takoi protestuesit për t'ua bërë vetë të ditur situatën. Sipas policisë, çadra cënon hapësirën publike dhe se duhet marrë leje në Bashki për ngritjen e saj.
Por edhe në këto kushte ata kanë kundërshtuar dhe kanë mbajtur disa batanije e jastëk pranë Piramidës ku edhe janë mbledhur, ndërsa i janë dretjuar Bashkisë së Tiranës për të marrë leje.