TIRANE- Policia e Shtetit që nga data 5 maj 2014 është me një strukturë të re, ku janë bërë ndryshime të konsiderueshme. Nga 5 Departamente që kanë pasur uniformat blu me strukturën e re janë 4 të tillë. "Shqiptarja.com" ka siguruar organigramën e re të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në të cilën janë bërë ndryshimet në përputhje me objektivat e qeverisë. Organigrama e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është dyfishuar, në përpjestim të drejtë dhe me rritjen e numrit të krimeve në familjeve, vrasjeve, vjedhjeve me dhunë, trafiqeve të paligjshme të drogës dhe të qenieve njerëzore.
PROPOZIMET PËR EMËRIMET
Struktura e re e Policisë së Shtetit është firmosur nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që në datën 5 maj dhe është dërguar në zyrën e Drejtori të Policisë një ditë më pas. Veç ndryshimeve, shkurtimeve që janë bërë, janë shtuar edhe disa drejtori të reja. Ndërkaq ministri ka deleguar propozimet për emërimet e reja drejtorisë së Policisë së Shtetit. Deri në gradën Nënkomisar propozimet do të bëhen nga strukturar vendore, ndërsa nga Komisar e deri tek Drejtuesi i Parë do të bëhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Propozimet do të vlerëson nga drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe do të emërohen me vendim të kreut të Policisë së Shtetit.
DREJTORITË QË NDRYSHOJNË
Janë jo pak por 22 drejtori dhe sektorë të Drejtorisë së Policisë së Shtetit që kanë ndryshuar. Në disa prej tyre është pakësuar numri i personave që janë të punësuar e në disa të tjerë është shtuar. Siç shkruhet në organizimin e ri të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, sektorët që kanë përfituar shtim personeli janë ato të rendit, të krimit të organizuar, si dhe sektorët e teknologjisë. Është krijuar Drejtoria Kundër Krimeve të Rënda, që merren me krimin e organizuar, trafiqet, terrorizmin e drogën sikurse dhe me korrupsionin. Këto janë sektorë të prioritetit të parë për policinë dhe qeverinë si dhe një kërkesë që vendi ynë të ecë përpara në rrugën e integrimit drejt BE-së.