A1 Report - Fier, krim brenda familjes, burri vret gruan me pas edhe veten

2015-08-22 1

FIER - Krimi brenda familjes këtë herë ka tronditur rrethin e Fierit, ku një 51-vjeçar ka ekzekutuar me armë zjarri bashkëshorten e tij, ndërsa më pas me të njëjtën armë ka vrarë dhe veten.

Tragjedia është shënuar në fshatin Dukas të Patozit ku shtetasi, Jashar Yzeiraj ka qëlluar me shotgan gruan e tij, Ariste Yzeiraj duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Më pas me të njëjtën armë zjarri, ai ka qëlluar në drejtim të vetës duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Krimi ka ndodhur gjatë mesditës në një nga dhomat e banesës së çiftit.

Krisma e armëve ka alarmuar të afërmit e Jashar Yzeirajt, të cilët janë nisur menjëherë drejt shtëpisë së 51-vjeçarit.

Sapo kanë hyrë brenda ata janë përballur me tragjedinë e rëndë dhe kanë njoftuar menjëherë policinë.

Blutë e Fierit janë nisur menjëherë në vendngjarje dhe kanë filluar punën për zbardhjen e rrethanave të plota të saj.

Mister mbeten motivet e këtij krimi të rëndë, ndërsa banorët e fshatit të tronditur nga kjo tragjedi refuzojnë ta komentojnë atë para kamerave.

Çifti jetonte vetëm prej vitesh teksa djali ishte emigrant në Greqi dhe vajza e tyre ishte e martuar në Vlorë.

10 ditë më parë një tragjedi e ngjashme ndodhi në Mirditë ku një 47-vjeçar pasi masakroi gruan e tij, zgjodhi t'i japë fund jetës duke u vetëvarur.