Gropa të mëdha, pellgje me ujë dhe papastërti. Kjo është pamja e rrugës "Bllagoja Toska" në mes të Tetovës, e cila lidh dy pjesët më të frekuentuara të qytetit, me Universitetin Shtetëror të Tetovës. Banorët e kësaj lagjeje, prej vitesh i kërkojnë komunës rregullimin e rrugës, por deri tani nuk kanë marrë përgjigje konkrete. Një pjesë e tyre kanë kërkuar nga kryetarja e komunës së Tetovës që të heq dorë nga mbjellja e luleve në qendër, dhe t'i hedh një sy kësaj rruge.
"Rruga na pengon, kah të shkojmë na pengon, për "Bllagoja Toska" kërkojmë ama kot e kemi askush nuk angazhohet këtu për ta rregullu këtë. Nëpër ujë ecim, me çizme, ja ku i kam aty, me çizme nëpër ujë të dalim deri te tekstilja".
"Katastrofë kjo, katastrofë e madhe është, duhet të vij vet ajo të hyj me çizme poshtë. Dëm të madh na bën, nëpër shtëpi na hyn uji nëpër dhoma".
"As fëmijët s'mund të kalojnë as me veturë nuk kalohet një sëmundje të kemi një plak, nuk mundë të kaloj është absurd kjo, sot është thatë, mirë, por kur ka shi kur është koha e lagur duhet të ecish me çizme. E kërkojmë këtë me vite, por nuk po ndërmerret asnjë aktivitet ishin gjatë dimrin rregulluan disa gropa por jo efektive".
Nga ana tjetër, nga komuna e Tetovës vazhdojnë të premtojnë se kjo rrugë do të rregullohet. 6 muaj më pare, Arifi pati deklaruar se rruga do ndërtohet në vitin 2014.
"Në prioritetet e komunës së Tetovës për vitin 2014 është gjithsesi Bllagoja Toska, në më shumë aspekte të riparimit zgjerimit hapjes e kështu me radhë", tha Teuta Arifi, Kryetare e Komunës së Tetovës.
Por, sot Arifi dha deklaratë tjetër, se rruga do rregullohet në 2015-ën.
"Bllagoja Toska" është plan zhvillimor i komunës së Tetovës e paraparë, njëra gjysmë për 2014 dhe tjetra për 2015. Për 2014 është paraparë pjesë prej qendrës afër spitalit pra atë pjesë e kemi shpallur, ndërkohë që për pjesët e tjera do të bëjmë riparime për ta kaluar vitin dhe pjesa tjetër do duhet që të vazjdoje në 2014", u shpreh Teuta Arifi, Kryetare e Komunës së Tetovës.
Të njëjtin fat, sikurse rruga "Bllagoja Toska" kanë edhe disa rrugë të tjera të Tetovës si ajo mbi gjimnazin e Tetovës, rruga Savo Tasevski dhe rruga që të çon për tek tregu i kafshëve, e filluar për t'u rregulluar para fushatës zgjedhore, dhe e lënë përgjysmë tashmë. Bashkim Sulejmani