Lirohen hapsirat publike në Lezhë, Bashkia: Aksioni do të vijojë

2015-08-22 1

Lezhë - Konfiskim malli, heqje e tabelave reklamuese dhe lirimi i të gjithë trotuareve në territorin e bashkisë së Lezhës, ka shoqëruar aksionin e policisë bashkiake.

Trotuaret në akset kryesore dhe qëndra e qytetit janë çliruar të parat nga zaptimi që kishin bërë dyqanet, lokalet dhe tregtarët ambulant. Nuk kanë qenë të paktë subjektet që janë prekur nga ky aksion i policisë bashkiake, që në fakt vjen pas reagimit të qytetarëve.

Ndonëse nuk paguanin asnjë taksë shtesë për zënien e hapsirave publike, bizneset në lezhë nuk i kishin kursyer trotuaret për të reklamuar mallin e tyre, ndërsa po kaq te shumta kanë qënë edhe tabelat reklamuese që ishin vënë pa lejen e Bashkisë.

Një masë e tillë vjen në një kohë kur ka filluar të frekuentohet ndjeshëm shëtitja e qytetarëve në orët e mbrëmjes, por që janë përballur pikërisht me këto pengesa. Bulevardi "Gjergj Fishta" ka qënë epiqendra kryesore.

Policia Bashkiake veproi në mënyrë të organizuar dhe pa shmangur asnjë subjekt. Burime nga Bashkia e Lezhës kanë bërë të ditur se aksioni nuk është i rastësishëm dhe as ditor, por do të vijojë në mënyrë koherente dhe pa asnjë tolerancë.

Për shkak të hapsirave të vogla publike, çlirimi i trotuareve shihet si një zgjidhje kur pritet që fluksi i vizitorëve të vijë gjithnjë në rritje, dhe domosdoshmërisht është e nevojshme që tu krijohen atyre të gjitha lehtësitë për të kaluar sa më mirë në këtë qytet gjatë qëndrimit te tyre.

Pas rrugëve kryesore, policia bashkiake pritet që të veprojë edhe në brendësi të lagjeve, por efikasiteti i tyre shihet me skepticizëm. E gjithë kjo për shkak se numri i efektivëve të policisë bashkiake është shumë i ulët për të përballuar një problematikë të madhe që ka Lezha.
Për më shumë klikoni në http://www.oranews.tv/