A1 Report - Termeti 7 balle trondit vendin panik dhe deme ne disa qytete

2015-08-22 7

Një tërmet i fortë me magnitudë 5.2 rihter ose 7 ballë është shënuar sot në orën 02.59. Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi tha për A1 Report se janë nisur inspektorët dhe inxhinierët për të verifikuar gjendjen pas lëkundjeve, ndërsa nuk raportohen të lënduar por vetëm dëme materiale në zonat e Cërrikut dhe Peqinit.

Ai konfirmoi se shkalla e tërmetit ishte me magnitudë 5.2 rihter ose 7 ballë, ndërsa lëkundja e parë ishte rreth orës 2 të mëngjesit të sotëm. Prençi shpjegoi se gjithsej kanë qenë 3 lëkundje, e para me magnitudë 2.8 rihter ose 3.5 ballë, e dyta 4.2 rihter ose 5.6 ballë dhe e treta dhe më e forta sipas Prençit ishte 5.2 rihter ose 7 ballë.

"Ne si drejtori e përgjithshme e kemi ndjekur situastën, që pas orës 02:02 kur ishte edhe lëkundja e parë me magnitudë 2.8 rihter ose 3.5 ballë, e dyta 4.2 rihter ose 5.6 ballë dhe e treta dhe më e forta 5.2 rihter ose 7 ballë. Kemi nisur inspektorët dhe inxhinierët për të verifikuar gjendjen. Pas inspektimit, do të dalim në konkluzion për shkallën e dëmtimeve. Nuk ka të raportuar për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale në zona të Peqinit dhe Cërrikut si shembje të çative të shkollave dhe plasaritje të mureve." tha Prençi për A1 Report

Ndërkaq lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në Lushnje, 5 km larg epiqendrës. Në komunat Ballakat dhe Hysgjokaj mësohet se disa banesa kanë pësuar dëmtime por pa të lënduar në njerëz.
BELSH DHE CERRIK, SHENOHEN DEME MATERIALE
Mësohet se lëkundjet sizmike të tërmetit kanë shkaktuar dëme të lehta në Belsh të Elbasanit dhe në Cërrik. Kështu sipas kreut të komunës Belsh, Asqeri Kruja, në një lidhje telefonike për A1 Report, një shkolle i është shembur çatia, duke shkaktuar edhe konfuzion për zhvillimin e mësimit por që ka vijuar normalisht.

Ndërsa në Cërrik lëkundjet kanë qenë më të forta duke shkaktuar panik tek banorët të cilët kanë dalë në rrugë të frikësuar. Kreu i bashkisë, Servet Duzha tha për A1 Report se nga lëkundjet e tërmetit nuk ka të ënduar në njerëz por vetëm dëme materiale, ku theksohet një çarje gjetësore e një pallati si dhe thyerja e disa xhamave të disa apartamenteve.