TIRANE- Në një kohë kur debate për narkotrafikun vazhdon të mbetet aktualitet është Gjykata e Krimeve të Rënda ajo e cila në periudhën janar-maj 2014 ka dhënë 66 vendime duke dënuar persona të përfshirë në trafik droge apo persona të arrestuar në tentativë për trafikim të drogës.
Mesatarisht vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda arrijnë në 13 vendime në muaj për trafikantë apo grupe të trafikut të drogave, ku dominojnë të dënuarit për trafikun e hashashit.
Por ajo ç'ka bie në sy në vendimet e dhënë nga togat e zeza tek Krimet e Rënda nuk mungojnë dënimet për femra të përfshirë në këtë vepër kriminale, ku gjatë periudhës janar-maj 2014 rezultojnë të jenë dy të tilla, përkatësisht me vendimin 14 dhe 41.
Nga 66 vendimet e dhëna në periudhën e lartpërmendur rezultojnë se 6 prej vendimeve të dënimit janë për shtetas të huaj, kryesisht shtetas italianë dhe grekë, ku këta të fundit janë arrestuar në kufi në tentativë për të trafikuar drogë.
Ndër dënimet e aplikuara nga Krimet e Rënda rezultojnë vendime të dhëna nga 4 vite e deri në 12 vite burgim, ndërsa pjesa më e madhe e të dënuarve kanë përfituar nga zbatimi i nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale duke zbritur 1/3 e dënimit pasi kanë pranuar gjykimet e shkurtuara.
Teksa për periudhën Janar e deri më 14 Maj 2014 nga Gjykata e Krimeve të Rënda janë dhënë 66 vendime, vetëm për muajin Maj 2014 janë 28 procese gjyqësore për trafikim të lëndëve narkotike të cilat janë ende në shqyrtim.