A1 Report - Tare e Kodheli, fushim ne bregdet deri sa ta pastrojne nga inertet

2015-08-22 1

SHËNGJIN -- Agjensia Kombëtare e Bregdetit e mbështetur nga Forcat e Armatosura të drejtuara nga ministrja Mimi Kodheli janë angazhuar sot në pastrimin e bregdetit nga Shëngjini deri në Velipojë, në nisje të sezonit turistik në Shqipëri.

Këtë aksion e ka ndjekur me vëmendje edhe Kryeministri, që shkruan në FB: "Nisi programi i posaçëm i sezonit të parë turistik pa plehra në plazhe, pas kaq vitesh banjo dielli mes plehrave.Forcë speciale në çdo plazh."

Drejtori i Agjensisë, Auron Tare, deklaroi se aksioni për pastrimin e detit do vijojë gjatë gjithe sezonit! Në muajin qershor do të vendosen 11 fushëpushime të ushtrisë përgjatë gjithë vijës bregdetare me qëllim që aksioni të vazhdojë pa ndërprerje.

Ndërsa, Ministrja Kodheli ndodhet në terren për të drejtuar aksionin me 1380 forca dhe 79 mjete, duke nisur punën që aksionin nga plazhi i Velipojës, 160 forca të tjera me mjete kanë zbarkuar në Shëngjin, pasi e gjithe vija bregdetare, nga Rana e Hedhun deri në Tale do të pastrohet për të qënë ndryshe këtë sezon veror.
Krahas mbetjeve të ndryshme që gjenden në brezin e rërës, ushtria do të largojë edhe inertet e hedhura përgjatë bregdetit, që do t'i depozitojë në "landfillin" e Bushatit.

Përgjegjësi i zyrës për kompetencat vendore në Prefekturën e Lezhës, Pal Çoku, ka deklaruar se nuk mund të vijohet vetëm me aksione, ndaj duhet që njësitë e qeverisjes vendore të jenë më të përgjegjshme për pastrimin e territorit, duke shtuar se edhe mbështetja e institucioneve të tjera është gjithnjë e mirëpritur.

Pastrimi i plazheve në Lezhë vjen në një moment kur shqetësimi i vizitorëve lidhet pikërisht me papastërtitë që gjejnë gjatë kësaj periudhe, për të cilën është e nevojshme ndërhyrja e menjëhershme.

Krahas aksionit të ndërmarrë nga Forcat e Armatosura, pritet që edhe institucionet lokale dhe shkollat të ndërmarrin një tjetër gjatë javëve të ardhshme për pastrimin e bregdetit si në Shëngjin ashtu edhe në Tale.

Free Traffic Exchange