Parashikimi i Bankës Popullore për rritje të Prodhimit vendor bruto për 3,7% nuk është real. Është e palogjikshme që shteti të parashikojë rritje të tillë nën presionin e borxhit të jashtëm dhe të brendshëm, që kanë tendencë rritjeje. Kështu e komentojnë analistët ekonomik, parashikimin e guvernatorit Dimitar Bogov. Analisti Visar Ademi madje akuzon se Banka Popullore është nën ndikimin e politikës, dhe për këtë shkak dikton parashikime të tilla të rrejshme. Ademi tha se, edhe po të fillojnë punën korridoret 8 dhe 10, që do të hapin vende të reja pune, kjo rritje ekonomike nuk do mund të arrihet.
"Unë jam shumë i zhgënjyer sepse Banka Popullore duhet të jetë institucion i pavarur dhe nuk duhet të jetë në shërbim të politikës, mirëpo me projeksionin e fundit për rritje prej 3,7% të Bruto Prodhimit Vendor për mendimin tim është një gabim projeksioni sepse Maqedonia është tmerrësisht e varur nga ekonomitë e rajonit dhe të Europës, kurse atje, edhe për një kohë nuk shihet se do të ketë dalje nga kriza", deklaroi Visar Ademi, ekspert ekonomik.
Ndërkohë Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore tha se kjo rritje ka gjasa të realizohet pasi tendencat botërore ekonomike do ta përfshijnë dhe stimulojnë edhe zhvillimin e vendin tonë.
"Parashikimet e Bankës Popullore lidhur me rritjen ekonomike prej 3,7% janë në suaza të asaj që janë parashikimet normale duke marrë parasysh edhe trendet zhvillimore ekonomike në vend. Për më tepër mund të konstatojmë që një rritje e tillë është e pritshme për vet faktin se e njëjta po ndjehet dukshëm edhe në suaza të Bashkimit Evropian ku prodhimi bruto për 3 mujorshin e parë ka shënuar rritje për 1,5 % krahasuar me tërë periudhën vjetore të vitit të kaluar kur kjo rritje ishte vetëm 1%, dhe nga ana tjetër kemi edhe rritjen ekonomike brenda Bashkimit Evropian me 0,9 % në 3 mujorshin e parë", tha Arben Halili, drejtor i OEMVP-së.
Banka Popullore dje doli me njoftim se nuk ndryshon mendimin për rritjen e PVB-së për 3,7% deri në fund të këtij viti, kurse 4,4% për vitin tjetër. Këto parashikime sipas guvernatorit Dimitar Bogov do të realizohen me stimulimin e eksportit të prodhimeve të gatshme, investimeve publike, si dhe punësimeve të reja. Ferikan Iljazi