A1 Report - Gjermani, kapet banda, çoi 5.6 ton drogë nga Shqipëria në blloqe betoni

2015-08-22 10

GJERMANI- Autoritetet doganore kanë arritur që të shkatërojnë bandën e trafikut të drogës që vinte nga Shqipëria. Trafikantët kanë arritur të çojnë në Gjermani për një periudhë kohe rreth 5,6 ton marijuanë. Sasia e fundit e sekuestruar i përket tetorit të vitit 2013-të, 645 kg marijuanë të fshehura në blloqe betoni. Lënda narkotike ishte e paketuar në një kamion, që duhej të transportonte gurë natyralë graniti, por brenda blloqeve të betonit të kamufluar gjendej e fshehur droga.

Mësohet se policia gjermane ka ndaluar 8 persona dhe një i 9-të është kapur nga autoritetet austriake, të arrestuarit janë të moshave 30-49 vjeç. Si krerë të këtij grupi trafikantësh janë arrestuar 2 vëllezër 44 dhe 49 vjeç. Autoritetet gjermane nuk kanë bërë të ditur emrat e të arrestuarve apo origjinën e tyre.

Marijuana, sipas autoriteteve të Nurembergut vinte nga Shqipëria dhe kishte si destinacion Gjermaninë, Italinë dhe Hollandën.

Shkatërrimi i këtij rrjeti trafikantësh ka ardhur pas një hetimi 6 mujor nga policia e Bavarisë dhe Saksonisë. Në tregun e zi droga e sekuestruar do të sillte një fitim prej 50 milionë euro për trafikantët. (e.s/shqiptarja.com)