Presidenti Nishani ka kthyer për rishqyrtim ndryshimet në ligjin për "Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë", të ndryshuar".
Në argumentimin e tij Nishani shprehet se: "Ndryshe nga sa pretendohet në relacionin e projekt-ligjit, neni 92 i Kushtetutës nuk parashikon në mënyrë shteruese kompetencat e Presidentit të Republikës por parashikon disa kompetenca të cilat nuk janë përfshirë në kapituj të tjerë të Kushtetutës. Vetë teksti i nenit 92 e shpreh qartë këtë duke cituar se: Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:...".
"Është e vërtetë që kompetenca që i është dhënë Presidentit të Republikës lidhur me propozimin e dy kandidaturave për zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI-së nuk përfshihet në listën e kompetencave të cituara në nenin 92 të Kushtetutës dhe as në nene të tjera të saj, pasi ky Institucion nuk ishte krijuar në kohën e hartimit të Kushtetutës dhe ajo nuk mund të shprehej për Institucione apo situata juridike që do të krijoheshin në të ardhmen."- shprehet në argumentim Presidenti duke theksuar se "Është pikërisht neni 94 i Kushtetutës i cili shpreh qartë frymën e saj dhe qëllimin e kushtetutë-bërësve për t'i mundësuar ligjvënësit një lloj fleksibiliteti në përcaktimin e kompetencave të tjera për Presidentin për çështje që kanë të bëjnë me zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet organeve shtetërore apo institucioneve të krijuara me ligje të veçanta dhe që janë në pajtim me Kushtetutën (rasti i ILDKPKI)."
"Duhet theksuar se këto qasje që sjell ligji bien ndesh me sistemin qeverisës në Republikën e Shqipërisë, i cili bazohet në parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve si dhe do të cënonte bashkëveprimin institucional, i cili ka mirëfunksionuar që nga miratimi i ligjit në vitin 2003 pa pasur konflikte dhe akuza të ndërsjella."- argumenton Presidenti Nishani
NDRYSHIMET QË SJELL LIGJI
Ndryshimet e bëra në ligj shtojën kompetencat e ILDKPsë për të hetuar deklarimin e pasurive. Sipas tyre, çdo 4 vjet do të bëhet kontrolli i pasurive për të gjithë gjykatësit dhe çdo 7 vjet për të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit. Drafti parashikon gjithashtu se edhe bashkëjetuesit e zyrtarëve duhet të bëjnë deklarimin e pasurive ku krahas kësaj, në listën e personave që do të jenë të detyruar që të deklarojnë pasuritë janë edhe shefat e pavijoneve. Krahas kësaj, zyrtarët në deklarimin e tyre të parë të pasurisë duhet ti depozitojnë paratë në bankë nëse theksojnë se kanë mbi 1.5 milion lekë kesh.