Në shenjë solidariteti me familjen Zeqiri nga lagja Radishan e Shkupit sot në sheshin Skenderbeu në protesta dolën disa dhjetëra qytetarë nën organizimin e Forumit Ndërkombëtarë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dega në Maqedoni. Kryetari i këtij forumi, Idriz Sinani para të pranishmëve tha se shqiptarët nuk janë të huaj në Maqedoni dhe se ata duhet respektuar.
'Rasti i familjes Zeqiri është vetëm se kulmi i politikës sistematike antishqiptare që nuk u ndërpre asnjëherë në Maqedoni. Është rast i të cilit i paraprinë shumë vrasje të ushtarëve të lirisë në raste të montuara, helmime të nxënësve shqiptarë nëpër shkolla dhe sulmet të shumta nëpër shkolla e autobusë', deklaroi Idriz Sinani -- Forumi Ndërkombëtarë për Mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Protestuesit pakënaqësinë e tyre e shprehën edhe para qeverisë ndërsa në përkrahje të saj doli sot edhe kryetari i Strugës Ziadin Sela. Ai tha se pushteti aktual duhet të miratojë Ligj për armëmbajtje për të gjithë qytetarët pasi sipas tij rasti i fundit me familjen Zeqiri në Radishan dëshmoi se policia nuk është e aftë që të mbrojë qytetarët.
'Në qoftë se institucionet janë të paafta për të ndërhyrë dhe për të siguruar jetën e qytetarëve, atëherë duhet patjetër që kjo përbërje parlamentare mos të ndalojë, por shumë shpejtë të sjellin ndryshime në ligjin për armë-mbajtje me të cilin do tu mundësojnë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë që të mbajnë armë në shtëpitë e tyre pasi është e drejt morale, legjitime, njerëzore dhe shumë humane që të mbrosh shtëpinë dhe oborrin tënd', tha Ziadin Sela -- kryetar i Komunës së Strugës.
Ndërkohë nga MPB thonë se ende nuk ka asnjë moment të ri në hetimet për zbardhjen e sulmit me bomba ndaj familjes Zeqiri në Radishan. Nga ky dikaster thonë se janë duke vazhduar me punën për zbardhjen e tërësishme të rastit. Gjysma e familjes Zeqiri në frikë ende vazhdon të qëndrojë në shtëpinë e tyre në lagjen Radishan të Komunës së Butelit. Valmir Kuçi