TURQI- Vizita e kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan në qytetin e Soma ku ndodhi dhe tragjedia në minierën e qymyrit është pritur me protesta nga banorët dhe familjarët e viktimave. Turma e zemëruar ka kërkuar largimin e tij, duke e quajtur 'vrasës'.
Kryeministri turk është detyruar të strehohet në një dyqan ku ka pasur një incident me një qytetar.
Besohet se Erdogan, së bashku me truprojat e tij ka sulmuar fizikisht një protestues i cili kërkonte dorëheqjen e tij. E ndonëse pamjet për sulmin e tij janë të paqarta, ato për këshilltarin e kryeministrit flasin vetë. Yusuf Yerkel u filmua nga mediat ndërsa godiste me shkelma një protestues i cili qëlloi makinën e Erdogan.
Truprojat e tij kishin hequr dhe targën e makinës 0002, si masë paraprake për ta mbrojtur më mirë. Gjatë largimit, makina e Erdogan u sulmua dhe u godit me sende të ndryshme.
Në një deklaratë për shtyp në Soma, Kryeministri turk u mundua të mbrojë qeverinë e tij nga akuzat duke përmendur incidente të ngjashme të shekujve më parë, si ai në Britani në vitin 1838. Erdogan shtoi se incidente të tilla janë 'diçka normale'.