Analistët: Përkrahja e PDSH-së për BDI-në, pozitive

2015-08-22 3

Analistët e vlerësojnë si pozitive dhe korrekte përkrahjen e PDSH-së për BDI-në, për anëtarësimin e vendit në NATO. Sipas tyre, nëse përkrahja është e sinqertë, do të përmirësonte komunikimin aq të nevojshëm mes dy partive shqiptare në Maqedoni. Megjithatë Alajdin Demiri thotë se me ose pa përkrahjen e PDSH-së, BDI-ja nuk mund të anëtarësojë vendin në NATO me një qasje të pa interesuar të VMRO DPMNE-së dhe kryeministrit Nikolla Gruevski.

'Përkrahja është në rregull, është korrektësi politike, por realiteti është se BDI-ja nuk është ai faktor që mund ta integroje Maqedoninë në NATO për arsye se pengesa kryesore është VMRO-ja ose Gruevski të cilët tërë kohës gjatë kësaj fushate, edhe fjalimet e para janë se nuk do të ndërrojmë emrin, nuk japim këtë, nuk japim atë... që do të thotë se porosia është jo për euro-integrimet dhe për NATO', theksoi Alajdin Demiri, analist.

Analisti Ibrahim Mehmeti thekson se episodi i tillë mund të jetë pikënisje drejt përmirësimit të bashkëpunimit. Megjithatë do të ishte më efektive sipas tij, që përkrahja të vinte në periudhën e bisedimeve për Qeverinë, me qëllim që çështja etnike shqiptare të avancohej më shumë.

'Komunikimi ndërmjet partive më të mëdha shqiptare është jashtëzakonisht i dobët dhe ndoshta jo i sinqertë, sidomos në periudhën rreth zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve. Por megjithatë kjo është një shembull pozitiv, i cili pa marrë parasysh prapavijën eventuale, mendoj se duhet të pranohet si një hap pozitiv, i cili eventualisht do të mund të çonte kah normalizimi i komunikimit', u shpreh Ibrahim Mehmeti, analist.

Ndryshe edhe kryetari i Komunës së Strugës Ziadin Sela kishte propozuar që PDSH-ja me 7 mandatet e saj të përkrahë BDI-në gjatë bisedimeve për Qeverinë, por me kusht që në afat prej 6 muajsh të zyrtarizojnë gjuhën shqipe dhe të realizojnë kërkesat etnike shqiptare, duke dëshmuar në këtë mënyrë se BDI për kot i ka kërkuar 20 mandate. Por një propozim i tillë i Selës nuk u komentua as ngas PDSH e as nga BDI. Një ditë më parë PDSH-ja ofroi përkrahje pa kushte për BDI-në, nëse partia e Ahmetit me të vërtetë përmbush premtimin për anëtarësimin e vendit në NATO deri në shtator. Nëse kjo nuk ndodh, kërkojnë që BDI-ja të tërhiqet nga skena politike. Benjamin Arifi