A1 Report - Celulari, 4 kompanite: Shqipëria hyn ne vendet me çmimet me te uleta

2015-08-22 0

TIRANË - Katër kompanitë celulare që operojnë në Shqipëri kanë shpjeguar sot në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese të Kuvendit, tarifat e tregut celular, kërkuar nga ish-ministri demokrat Genc Ruli.

Përfaqësuesit e "Vodafone" dhe "AMC" thanë se Shqipëria është një ndër vendet që ofron tarifat dhe shërbimet më të ulëta krahasuar me vendet e tjera evropiane.

Drejtori i Përgjithshëm i "Vodafon Albania", z. Dietlof Mare tha:

"Ajo çfarë po ndodh sot në botë dhe jo vetëm në Evropë, është futja dhe shitja e shërbimeve të veçanta në formën e një pakete që kombinon të gjitha shërbimet. Unë mund 'tju siguroj se nësë do ta vlerësojmë çmimin për paketë, pra ku përfshihen të gjitha shërbimet së bashku, telefonia zanore, sms-të, internet etj. ne ju garantojmë se jemi njëri ndër vendet që ka çmimet më të ulëta në Evropë."

Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv i AMC-së, z.Dimitrios Blatsios tha:

"Sipas një indeksi që mat cmimin për minutë, gjatë viteve të fundit, tarifat kanë rënë me 80% dhe dua të theksoj se në shumë aspekte, Shqipëria ka disa nga çmimet më të ulëta në Evropë".

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese vendosi të dëgjojë përfaqësuesit e kompanive celulare para se të kalojë për miratim, një projektrezolutë drejtuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Në këtë projektrezolutë, një ndër pikat kryesore është që AKEP-i dhe institucione të tjera duhet të vendosin për kushtet e konkurrencës në treg ndërmjet operatorëve si dhe të garantojnë mbarëvajtjen e saj.