Radishan, Latinovski kërkon zbardhjen e rastit

2015-08-22 0

Kryetari i Komunës së Butelit, Petre Llatinovski në një prononcim për ALSAT-M rreth rastit me familjen Zeqiri në lagjen Radishan ka bërë thirrje që sa më shpejtë institucionet të zbardhin rastin pasi që kjo është në interes të të gjithë qytetarëve. Ai paralajmëroi se nesër në kabinetin e tij do të mbledh në takim përfaqësues të MPB-së, kryeshefin e stacionit policor në Butel, përfaqësues të OJQ-ve, anëtarët e familjes Zeqiri dhe disa nga fqinjët e saj, përfaqësues të të rinjve të Radishanit, këshilltarët e Radishanit në këtë komunë me të vetmin qëllim që të ulen tensionet rreth situatës së krijuar ditëve të fundit në këtë komunë.

"Në këtë mbledhje edhe më tepër dëshirojmë që të japim qëllim tërësisht tjetër, të diskutojmë për marrëdhëniet mes banorëve që kanë ekzistuar dhe ende ekzistojnë, të shohim vallë me të vërtet dikush dëshiron ti shkatërrojë ato ose bëhet fjalë për diçka krejt ndryshe! Rezultati i kësaj iniciative duhet të jetë që fillimisht të bëjmë qetësimin e tensioneve. Unë insistojë që sa më shpejtë të zbardhen motivet e vërteta dhe të kapen autorët e krimit. Unë me të vërtet dëshirojë që autorët e krimit, pa dallim kush është, çfarë është të sanksionohen ashpër dhe të nxirën para drejtësisë e të dënohen", tha Petre Llatinovski, kryetar i Komunës së Butelit.

'ALSAT-M sot vizitoi lagjen Radishan, përkatësisht pjesën ku gjendet shtëpia e familjes Zeqiri. Tre vëllezërit që kanë mbetur në shtëpi thonë se do të qëndrojnë edhe më tej në vatrat e tyre por që siç thonë ata, frika është prezente. Qytetarët që tentuam ti anketojmë thonë se deri më tani nuk ka pasur probleme të ngjashme'.

'Njëri nga shqiptarët e kësaj shtëpi ka shitur fruta-perime këtu tek tregu i gjelbër dhe unë jam myshteri i tij, tek ai blej pothuajse çdoherë, njerëz të mirë janë. Mendojë se kjo ka të bëjë diçka mes vete, mosmarrëveshje...', u shpreh një banor i Radishanit.

Ndërkohë nga MPB thonë se janë duke vazhduar në mënyrë intensive të punojnë për zbardhjen e sulmit të fundit që i ndodhi familjes Zeqiri ditë më parë. Anëtarët e kësaj familje që nuk u shpërngulën vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe janë në pritje të zbardhjes së rastit nga autoritetet kompetente. Valmir Kuçi