Bilanci i përgjithshëm i të lënduarve nga aksidenti i djeshëm mes autobusit me udhëtarë dhe trenit , arrin në 36, por asnjëri prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën. Shumica e tyre janë liruar për kurim shtëpiak. Sipas ministrit të shëndetësisë Nikolla Todorov, ndaj pacientëve që po vazhdojnë të kurohen në Shkup, do të kryhen të gjitha intervenimet e nevojshme.
"Nga gjithsej 12 pacientët që mbrëmë u sollën në qendrën emergjente në Shkup, 8 prej tyre janë në kurim spitalor, ndërsa të tjerët pas kurimit u lëshuan për në shtëpi. Në traumatologji po kurohen 5 pacientë me dëmtime në gjoks, kurriz dhe fraktura tjera. Dy prej tyre ishin operuar dje, ndërsa njëri sot", tha Nikolla Todorov, Ministër i Shëndetësisë.
"Pacienti që pësoi tronditje dhe dëmtim të rëndë të mushkërive është në gjendje të qëndrueshme. Ai është ende në aparatet për frymëmarrje, por ka tendencë të përmirësimit ", u shpreh Aleksandër Çaparovski, Drejtor i klinikës së neurologjisë.
Prokuroria publike ka shqiptuar masën e paraburgimit për 54 vjeçarin nga Dobrejci, shofer i autobusit. Sipas prokurorisë, ai është arrestuar që të mos ndikoj nda dëshmitarëve apo ekspertëve në procedurat e hetuesisë. Aksidenti ndodhi dje në orën 7 të mëngjesit, në momentin kur autobusi po tentonte të kalonte hekurudhën, edhe pse vendkalimi ka qenë i mbyllur. Adrian Kerimi