Tirane- Buxheti i shtetit kërcënohet nga sektori energjetik si dhe nga paditë për kompensimin e pronave.
Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave Shkëlqim Cani, ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj e cila u mbajt në orët e vona të natës ( Ora 22: 30 e 13 majit, 2014), Shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Nadeem Ilahi kërkoi që këto rreziqe që i kanosen buxhetit të duhet të trajtohen sa më parë. Ilahi vlersoi se ecuria ekonomike vijon të mbetet e dobët.
"Kreditimi mbetet ende i ulët dhe është një problem në Shqipëri, sepse bankat nuk marrin përsipër rriskun e mbështetjes së investimeve.
Politika monetare duhet të mbështesë rritjen ekonomike, ndërkohë që edhe reforma e pensioneve duhet që të vazhdoj.
Megjithatë veprimtaria ekonomike në Shqipëri është ende e dobët dhe nën potencialin e vet.
Rreziqet më të mëdha fiskale për Shqipërinë vijnë nga energjia elektrike sepse arkëtimi i faturave është shumë i ulët dhe humbjet energjisë në rrjet janë të mëdha.
Një tjetër rrezik për qëndrueshmërinë fiskale, është edhe kthimi dhe kompensimi i pronave. Këto probleme duhet që të trajtohen menjëherë që të gjejnë zgjidhje" u shpreh Shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë
Ministri i Financave Shkëlqim Cani premtoi se po punohet për të përmirësuar besueshmërinë e bizneseve dhe konumatorëve. Ai tha se "viti 2013 ishte një vit i vështirë ekonomik, madje viti më i vështirë që prej 1997?. Gjithashtu Cani deklaroi se prioritet mbetet shlyerja e borxheve.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Industrisë, Arben Ahmetaj theksoi se ndryshimi në klimën e biznesit, është i rëndësishëm dhe se ekonomia ka tregues pozitiv pasi në tre mujorin e fundit janë rritur importet dhe eksportet.
Ministri Cani u shpreh se bashkëpunimi me kompaninë "Crown Agents" vazhdon, ndërsa është dorëzuar në qeveri kodi doganor dhe pritet të miratohet nga Parlamenti.