A1 Report - Basha: Rama paranojak, inskenoi sesi nje italian do burgoset per t'i bere keq

2015-08-22 0

TIRANE - Pas deklaratës së kryeministrit Rama, që shprehu qëndrimin e tij lidhur me çështjen e avionit të ulur në Divjakë dhe tentativës për trafik droge, ka reaguar këtë mbrëmje edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Përgjigjen e Ramës, kreu i PD-së e ka quajtur shfrim urrejtje kundër opozitës, duke u shprehur se kryeministri duhet të kishte dhënë dorëheqje ose të kërkonte falje.

"Droga ngeci në rërën e Divjakës si deshmia e narkotrafikut dhe përgënjeshtrimi i Ramës qe flagrant. Në vend të dorëheqjes, reflektimit apo ndjesës, shqiptarët dëgjuan shfrimin e urrejtjes së tij patologjike ndaj opozitës.

Nuk kam çfarë t'ju them shqiptarëve; nuk pretendoj të jem më i mençuri prej jush, për t'u bërë interpreto i një qendrimi që flet vetë.

Me paranojë shembullore e tregoi historinë e drogës, si një inskenim i forcave të errëta kundër tij. Një italian, sipas tij, rrezikoi të hynte në burg për t'i bërë keq Ramës.

Rama nuk fyen vetëm opozitën, por gjithë shqiptarët, duke u thënë "fluturon gomari" dhe ata të thonë "Fluturon!"

PD-ja ka bërë e do të bëjë gjithçka që Shqipëria të marrë statusin. Nuk ishim ne që bënim grevë urie për të sabotuar heqjen e vizave. Nuk e kemi mbajtur ne 3 vjet peng statusin duke mos votuar 3 ligjet. Na kërkon të mbyllim gojën ndërkohë që vendi kthehet në një aerodrom droge.

Shqiptarët nuk ia kanë për borxh të shlyejnë borxhet e tij të vjetra e të reja. A ishe ti Rama që refuzove sinjalet e qytetarëve për trafik droge? A ishe ti që u talle duke përqeshur opozitën, se opozita sheh ëndrra me avionë?

Rama po e kthen vendin në aerodrom droge. Shqiptarët kanë një hall, nxjerrjen e vendit nga kthetrat e narkotrafikut, ndërsa Rama ka hall t'u ikë përgjegjësive. Shqiptarët nuk duan një kryeministër që i gënjen për të ardhur në pushtet, dhe që gënjen për të mbajtur pushtetin.

Përpjekja e jote mashtruese për të deklaruar drogën që të mbeti një derë si një superaksion policor, të implikon ty z. Rama!

Kryeministër nuk u bërë dot as për një vit të plotë, bëhu burrë e mbaj përgjegjësi. Dorëhiqu dhe hap rrugën për të zhbllokuar rrugën e integrimit të vendit në Europë. Këtë çorbë që vetë e gatoi, do ta hajë vetë", përfundoi Basha.