Asnjë e re nga hetimet për rastin e Radishanit

2015-08-22 0

Asnjë moment i ri në hetimet për zbardhjen e sulmit me bomba ndaj familjes Zeqiri në Radishan. Nga MPB thonë se janë duke vazhduar me punën për zbardhjen e rastit. Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së i kontaktuar nga ALSAT-M tha se ende nuk ka prova të mjaftueshme për të dalë në opinion me deklarata rreth rastit të shpërthimit të bombës në shtëpinë e familjes Zeqiri. Ai thotë se ekipet e MPB-së janë të angazhuara në maksimum për të kapur autorët e krimit.

Ndryshe 20 anëtarët e familjes Zeqiri në frikë ende vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpinë e tyre në lagjen Radishan të Komunës së Butelit. Ata nuk fshehin zhgënjimin nga autoritetet të cilat nuk i kanë vizituar gjatë 24 orëve të fundit.

Ata edhe sot nuk deshën të prononcoheshin para kamerave. Njëri

nga vëllezërit e mbetur në shtëpi nuk përjashton mundësinë edhe të shpërnguljes duke pas parasysh neglizhencën e autoriteteve për rastin. Edhe pse paralajmëruan se sot anëtarët e mbetur të kësaj familje do të zhvendoseshin para ambasadës amerikane në Shkup, një gjë e tillë nuk ndodhi. Ata vazhdojnë të presin zbardhjen e rastit nga autoritetet kompetente.

Familja Zeqiri është në qendër të vëmendjes, pas dhunës së ushtruar nga ana e huliganëve dhe aktivistëve partiak në ditën e 13 prillit, në mbrëmjen sapo kishin përfunduar zgjedhjet presidenciale. Kjo familje që jeton në këtë lagje të banuar kryesisht me maqedonas ka theksuar se vazhdimisht ka qenë viktimë e presionit nga qarqe të ndryshme, me qëllim të shpërnguljes nga shtëpitë e tyre. Valmir Kuçi