A1 Report - Izraeli denon ish-kryeministrin Olmert me 6 vjet burg per rryshfet

2015-08-22 0

IZRAEL - Një gjykatë në Izrael ka dënuar me 6 vjet burg dhe 289 mijë dollarë gjobë ish-kryeministrin Ehud Olmert.

Zëdhënësi i Olmert Amir Dan, këmbënguli në pafajësinë e tij dhe tha se vendimi do të apelohej në Gjykatën e Lartë e do të kërkohej lirimi me kusht derisa të shpallej vendimi.

Nëse Gjykata e Lartë e lë në fuqi vendimin, ai do të jetë i pari ish-kryeministër që do të burgoset.

68-vjeçari u shpall fajtor në mars në lidhje me një marrëveshje të pasurive të patundshme në kohën kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Jeruzalemit nga viti 1993 deri në 2003-shin.

Gjykata e Tel Avivit e shpalli atë fajtor për dy akuza për marrje ryshfeti dhe tha se ai kishte marrë 145 mijë dollarë nga sipërmarrësit e një kompleksi apartamentesh të shumëpërfolur, i njohur me emrin "Holyland" dhe rreth 20 mijë dollarë të tjera në një projekt të pasurive të patundshme.

Olmert mbajti postin e kryeministrit të Izraelit në periudhën 2006-2009, deri kur një lumë deklaratash për korrupsion e detyruan të jepte dorëheqjen. Avokat në profesion, Olmert e filloi karrierën e tij politike në vitet '70 si ligjvënës që shënjestronte krimin e organizuar në Izrael.