TIRANE- Piloti italian Giorgio Riformato dhe shtetasi Saimir Bajrami, kishin zgjedhur të rehatoheshin në një hotel që ndodhet ngjitur me godinën e Prokurorisë së Përgjithshme. Hoteli me katër yje quhet "Capital" dhe siç shpjegohet nga punonjësit, italiani ka qëndruar dy ditë, dhe ka fjetur në dhomën 106 të këtij hoteli, duke paguar rreth 200 euro. Pikërisht në ambientet e këtij hoteli kanë qëndruar për disa momente Saimir Bajrami dhe Giorgio Riformato, duke diskutuar rreth trafikut dhe mënyrës së trafikimit të lëndës narkotike nga Divjaka në Itali.
Takimi mes tyre në hollin e hotelit është fiksuar nga kamerat e sigurisë, si dhe janë parë të dalin së bashku nga hoteli. Të gjitha pamjet filmike tashmë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që në dosje janë administruar dhe mandatet e pagesës që janë bërë nga shtetasi italian. Prokuroria që prej ditës së djeshme po verifikon me detaje dhe kamerat e një lokali, ku shtetasi italian dhe ai shqiptar kanë qënë së bashku duke darkuar. Të gjitha këto prova lidhen me njëra-tjetrën, dukë rënduar pozicionin e dy personave të arrestuar.
PYETEN PUNONJESIT
Recepsionistja e hotelit dhe administrator janë marrë në pyetje gjatë ditës së dielë, ku kanë treguar shpjegime rreth lëvizjeve dy ditore të qëndrimit në hotel të shtetasit italian. Sipas dëshmisë së punonjësve, klienti Italian, i kishte pohuar se vinte nga aeroporti dhe se ishte për një vizitë turistike. Riformato ka shkuar në hotelin që ndodhet në rrugën "Qemal Stafa", ngjitur me Prokurorinë e Përgjithshme, me një taksi. Sapo është akomaduar ai ka pasur një takim në hollin e hotelit me shtetasin Saimir Bajrami, dhe më pas kanë dalë së bashku jashtë ambjenteve të hotelit. Gazeta "Shqiptarja.com" ka tentuar të flasë me punonjësit e këtij hoteli por askush nprej tyre nuk pranoi të flasë rreth qëndrimit dy ditor të shtetasit italian Giorgio Riformato. Madje sipas punonjësve, ata ishin marrë në pyetje nga prokuroria dhe se në fund ishin urdhëruar prej tyre që të mos flisnin për gazetarët.
HETIM AVIOACIONIT
Krahas hetimit penal për pilotin italian Giorgio Riformato dhe shtetasin nga kruja, Saimir Bajrami, prokuroria ka nisur verifikimin edhe mbi procedurat e ndjekura nga Autoriteti i Aviacionit Civil për incidentin e renies se avionit ne Divjake pasditen e të shtunës. Sipas hetimeve, është sekuestruar e gjithë praktika e ndjekur nga piloti italian dhe është kërkuar sekuestrimi edhe i bisedave audio, mes kullës së kontrollit dhe pilotit Riformato. Veç kësaj, ekspertë nga grupi hetimor, thanë se janë kërkuar edhe të dhënat e radarit të Forcave të Armatosura që ndodhet në Bushat të Shkodrës, në lidhje me lëvizjet dhe itinerarin e ndjekur nga piloti italian, që nga momenti i ngritjes e deri në momentin, kur ka ngecur në rërën e plazhit të Divjakës. Gjithashtu, është kërkuar t'u vihen në dispozicion hetuesve, dosjet e plota të të gjitha hyrje-daljeve të avionëve sportive në aeroportin e Rinasit dhe brenda hapësirës ajrore shqiptare.