Statusi, Fule-Venizelos thirrje për bashkëpunim qeveri-opozitë

2015-08-22 0

Bruksel- Komisioni Europian është drejt finalizimit të raport-progresit për Shqipërinë, i cili më pas do tu jepet vendeve anëtare të BE. Një fakt i tillë është bërë i ditur nga kryekomisioneri Stefan Fyle në takimin e gjashtë BE-Shqipëri në Bruksel. Fule nuk ka dashur të zbulojë shumë detaje, teksa nuk ka kursyer thirrjet për bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës.

"Kemi mbajtur shënim hapat e ndërmarra nga qeveria në një sërë fushash, veçanërisht sa i përket shtetit të së drejtës, reformën në gjyqësor dhe luftën kundër krimit të organizuar. Është në dorën e Shqipërisë që të vazhdojë të ndërtojë mbi progresin e bërë dhe të konsolidojë momentin e reformave. Duhet të japë rezultate konkrete, bindëse sa i përket fushës së prioriteteve, të cilat janë jetike për progresin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit. Gjithmonë kam besuar se që procesi i integrimit të jetë i suksesshëm, duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës"- tha komisioneri Fyle.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Evangjelos Venizelos, shtet që mban dhe Presidencën e BE.

"Sot kemi nënvizuar se BE është e angazhuar në rrugën e saj drejt integrimit. Kujtojmë politikanët e dy palëve që të punojnë së bashku. BE konsideron se dialogu i qëndrueshëm dhe konsutrikv është jetik që Shqipëria të adresojë axhendën e BE se lidhur me reformat dhe bën thirrje për përpjekje të vazhdueshme në këtë aspekt. Gjate takimit të sotëm kemi theksuar nevojën për reforma, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar"- tha Venizelos.

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i cili drejton takimin e gjashtë të Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit BE-Shqipëri gjatë fjalës së tij tha se qeveria mbetet e angazhuar për dialog konstruktiv.

"Qeveria është e angazhuar për të pasur dialog politik konstruktiv, puna e përbashkët e qeverisë dhe opozitës, veçanërisht në parlament është jetike për qëndrueshmërinë e procesit të reformave"deklaroi ai.

Ndërsa Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, tha se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe se gjatë vitit 2013-2014 është bërë punë domethënëse për përafrimin e legjislacionit. Gjosha vuri theksin tek zbatimi sa më i mirë i legjislacionit, dhe jo vetëm tek përafrimi i tij.

Këshilli i Stabilizimit dhe Asociimit do të bëjë një vlerësim të përgjithshëm të zbatimit të MSA-së dhe do të diskutojë mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin evropian të Shqipërisë.