Lezhë- Festivali folklorik në Zadrimë, promocioni për ekoturizmin në Shëngjin dhe zhvillimi i turizmit malor në Mirditë, janë disa prej projekteve të cilat Këshilli i Qarkut Lezhë i ka adresuar në funksion të turizmit.
Unifikimi i të gjithë elementëve si bregdeti, mali, kulinaria, kultura, etnografia dhe historia, konsiderohen si mënyra e vetme për të ndërlidhur jo vetëm zonat, por ndërkohë Qarku i Lezhës rrit edhe ofertën turistike.
Këto objektiva janë prezantuar nga zëdhënësi i Këshillit të Qarkut Lezhë, Viktor Gjikola, sipas të cilit ky institucion tashmë i ka të identifikuara të gjithë resurset turistike duke përcaktuar edhe objektivat e saj të zhvillimit.
Për Këshillin e Qarkut Lezhë mbetet po kaq e rëndësishme edhe bashkëpunimi me njësitë e qeverisjes vendore, kjo për shkak se rrit jo vetëm mundësitë e zhvillimit, por koordinon çdo investim në fushën e turizmit dhe sigurisht nxit agjensitë që të kenë Lezhën në axhendat e tyre të paketave turistike.