Tiranë- Partia Demokratike, është e vendosur të protestojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, dhe qeverisë së tij.
"Protestat popullore kundër oligarkisë së drogës" nisin të enjten në orën 10:00 para parlamentit dhe s'kanë të ndalur.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Grupit Parlamentare dhe u bë publik nga kryetari Lulzim Basha në një deklaratë për median nga selia e PD-së
Sipas kryeopozitarit shqiptarët nuk mund të pranojnë t'ia dorëzojnë sovranitetin botës së zezë të narkotrafikantëve.
"PD dhe mbarë opozita kërkojnë sot dorëheqjen e Edi Ramës dhe qeverisë së tij, ky është imperativi i ditës për të ndalur revanshin e narkotrafikut. Populli nuk pranon të qeveriset nga një qeveri kukull apo e bërë njësh me narkotrafikun" tha Basha duke shtuar se "PD do të udhëheqë protestën e pandalshme deri në dorëheqjen e qeverisë Rama."
Në emër të PD-së dhe opozitës, kryetari Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama për implikimin e drejtëpërdrejtë të fshehjes së skandalit dhe mbështetje politike të trafikut të drogës dhe i kërkon të japë dorëheqjen.