Lëvizjet në polici, PD: Të lirohet Didi, të rihapen hetimet për pengmarrjen e 1999

2015-08-22 1

Tirane- Komisioni hetimor për lëvizjet në policinë e shtetit shkon me dy raporte në Kuvend.

Opozita kërkon lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, si dhe rihapjen e hetimeve për rolin e Artan Didit dhe të policisë në ngjarjen e vitit 1999.

Kryetari i komisionit për lëvizjen në Policinë e Shtetit, Arben Ristani i cili lexoi raportin përfundimtar kërkoi që të rikthehen në policinë e shtetit të gjithë ata punonjës që janë shkarkuar në kundërshtim me ligjin.

"Kërkojmë lirimin nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për shkak se nuk plotëson asnjë nga kriteret ligjore për emërimin në këtë detyrë. Marrjen e masave administrative dhe ligjore për rikthimin e ligjshmërisë në policinë e shtetit nëpërmjet ngritjes së një grupi pune të posaçëm për vlerësimin e situatës së krijuar në organizatën e policisë dhe në situatën e kriminalitetit në vend duke propozuar masa konkrete dhe urgjente", thuhet në raportin e lexuar nga Ristani.

Gjithashtu Ristani tha se duhet të hapen hetimet për ngjarjen e vitit 1999 ku u mor peng autobusi grek nga një shqiptar dhe se Artan Didi sipas opozitës ka vrarë një person të pafajshëm.

Raporti i mazhorances
Nga ana e mazhorancës ky raport është konsideruar si një raport mashtrimi dhe i përpiluar nga përfaqësues të opozitës. Ajo ka paraqitur raportin e saj, gjë që ka shkaktuar debate.

PS paraqiti vlerësimin e saj përmes një raporti të lexuar nga nënkryetari i Komisionit Hetimor, Taulant Balla. Deputeti u shpreh se të gjitha raportimet, duke përfshirë edhe atë drejtorit të Policisë së Shtetit janë bërë në përputhje të ligjit dhe në të mirë të hetimit e plotë të çështjeve në shqyrtim.

"Drejtoria e Përgjithshme e Policisë i është përgjigjur me korrektesë dhe ka vënë në dispozicion të komisionit hetimor, brenda afatit të gjithë dokumentacionin e kërkuar",tha Balla.

Mbledhjes nuk i munguan as avionët prej letre për të ironizuar rrëzimin e avionit në Divjakë.

Free Traffic Exchange