A1 Report - Korçe, procedohen mjeket per vdekjen e foshnjes se porsalindur

2015-08-22 4

KORCE- Policia e Korçës ka nisur procedim penal ndaj mjekëve të spitalit të këtij qyteti, të cilët akuzohen nga një çift prindërish, se kanë shkaktuar vdekjen për shkak të pakujdesisë së foshnjës tyre vetëm dy orë pas lindjes.

Në kuadër të hetimit policia ka marrë nën dorëzim edhe kartelën mjekësore të foshnjës.

Nëna e foshnjës u shpreh dje për A1 REPORT se djali i saj ndërroi jetë vetëm dy orë pasi erdhi në jetë, ndërsa për këtë fajëson mjekun, Gjergji Gjata, dhe një koleg të tijin.

Sipas saj, mjekët para se të lindë foshnja i kishin thënë se gjendja e saj shëndetësore ishte e mirë, ndërsa pasi ndërroi jetë, të njëjtët mjekë janë shprehur se foshnja kishte probleme në zemër dhe mushkëri.

Nga ana tjetër,familjarët nuk kanë tërhequr trupin e foshnjës nga morgu i spitalit duke këmbëngulur që autopsia të bëhet nga mjekë nga Tirana. Edhe këtë të hënë ata kanë kërkuar drejtësi dhe kanë akuzuar mjekët për neglizhencë. Prindërit e foshnjës shprehen së nuk e marrin trupin e pajetë të vogëlushit deri sa të vijë një grup mjekësh nga Tirana për të kryer ekspertizën.

"Unë jam këtu, dua drejtësinë e fëmijës dhe të nuses, se edhe nusen e kam me depresion, dua drejtësinë, çfarë kanë marrë doktorët dua t'i kthejnë mbrapsht. Unë do ta kërkoj dhe dua edhe avokatin e popullit që të vijë të kërkojë të drejtën e fëmijës dhe të nuses.
Kur i filluan dhimbjet, 24 orë ka qëndruar nusja ime pa një gjilpërë,"- shprehet gjysha e foshnjës që humbi jetën.

Foshnja e seksit mashkull ndërroi jetë një ditë më parë në maternitetin e Korçës, pesë orë pas lindjes ndërsa familjarët akuzuan mjekët për neglizhencë. Këta të fundit mohuan akuzat duke pohuar se foshnja ndërroi jetë nga asfiksia akute.