Aksioni i ndërmare rreth 6 muaj më parë nga bashkia e Vlorës, për largimin e kioskave mund të quhet pa ndrojtje, i dështuar.
Mbi 60 kioska numërohen në bulevardin Skele-Uji i ftohtë, të cilat ofrojnë produkte të ndryshme dhe kryejnë aktivitetin e tyre tregëtar të pashqetësuar nga askush.
Aksioni i dështuar i Policisë Bashkiake Vlorë, kishte si qëllim heqjen e tyre dhe lirimin e hapësirave publike, të cilat do të vendoseshin në dispozicion të qytetarëve apo turistëve, por kjo gjë jo vetëm që nuk ndodhi por përkundrazi nuk po respektohet të paktën distanca që këto kioska duhet të kenë nga njëra-tjetra.
Vendimi i marrë nga ana e bashkisë Vlorë, u shoqërua me reagimin e pronarëve të kioskave, të cilët jo vetëm kundërshtuan forcat e policisë, por edhe protestuan para zyres së deputetit të tyre, njëherazi edhe kryeministrit të vendit Edi Rama.
Në një kohë kur Vlora u pastrua nga ndërtimet pa leje, kioskat vijojnë ende të zaptojnë trotuaret. Dy ditë më parë ky qytet çeli zyrtarisht sezonin turistik, por që në fakt duket se për këtë vit nuk pretendohet shumë, kjo edhe për imazhin aspak të hijshëm që ofron sot Vlora.
Infrastruktura e çale dhe e dëmtuar, mungesa e zyrave të informacionit për tursitët, hartat e paazhornuara prej vitesh i lënë ata në mungesë të plotë të orientimit, probleme këto të cilat u shoqëruan edhe me braktisje nga drejtuesit kryesorë të pushtetit vendor, gjatë ditës që Vlora çeli sezonin turistik.