LEZHË - Prag sezoni turistik ka vënë në lëvizje Këshillin e Qarkut Lezhë, i cili ka hartuar një guidë turistike, pjesë e së cilës janë bukuritë natyrore dhe vlerat kulturore të kësaj treve. Në kuadër të një turizmi të zhvilluar, drejtuesit e këshillit të qarkut i bëjnë apel instancave të qeverisjes vendore për më shumë bashkëpunim.
Festivali folklorik në Zadrimë, promocioni për ekoturizmin në Shëngjin dhe zhvillimi i turizmit malor në Mirditë janë disa prej projekteve të cilat Këshilli i Qarkut Lezhë i ka adresuar në funksion të turizmit.
Unifikimi i të gjithë elementëve si bregdeti, mali, kulinaria, kultura, etnografia dhe historia konsiderohen si mënyra e vetme për të ndërlidhur jo vetëm zonat, por ndërkohë Qarku i Lezhës rrit edhe ofertën turistike.
Këto objektiva janë prezantuar nga zëdhënësi i Këshillit të Qarkut Lezhë Viktor Gjikola, sipas të cilit ky institucion tashmë i ka të identifikuara të gjithë resurset turistike duke përcaktuar edhe objektivat e saje të zhvillimit.
"Një nga objektivat themelore të realizimit të vizionit tonë për turizmin është pa dyshim harmonizimi i të gjithë këtyre llojeve të turizmit kulturor, bregdetar, malor" - u shpreh Gjikola
Për Këshillin e Qarkut Lezhë mbetet po kaq e rëndësishme edhe bashkëpunimi me njësitë e qeverisjes vendore, kjo për shkak se rrit jo vetëm mundësitë e zhvillimit, por koordinon çdo investim në fushën e turizmit dhe sigurisht nxit agjencitë që të kenë Lezhën në agjendat e tyre të paketave turistike.