Tiranë- Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka deklaruar sot se Policia e Shtetit është në krye të detyrës si asnjëherë dhe rasti i drogës në Divjakë tregon se "Droga aty ka qenë, por nuk kapej nga policia".
Kësisoj, ai ka ngritur edhe akuzën se Qeveria e shkuar ka pasur dijeni për trafikun e drogës dhe nuk ka vepruar. "Në deklaratat e opozitës ka një të vërtetë,"- tha ai, - "se po ndodh e paimagjinueshmja, sepse trafiku i drogës me avionë u ndalua në mënyrë të suksesshme."
Akuzat se qeveria e kaluar ka pasur dijeni për këtë lloj trafiku të drogës, Tahiri i lidh me faktin se: "Duke qenë se ishin të vetmit që kishin informacion për këtë lloj trafiku do të thotë që kanë pasur dijeni kur ishin në dijeni dhe se kanë bërë detyrën, kjo do të thotë që ata kanë pasur dijeni dhe nuk e kanë bërë detyrën."
Ministri tha se "avioni i ulur në Divjakë së bashku me makinën kanë qenë në një sipërmarrje bashkëpunuese mes shtetasit italian, i proceduar më parë në Itali dhe shqiptarit, që nuk ka qenë i proceduar më parë penalisht."
"Policia ka qenë dhe është në gatishmëri të plotë në luftën kundër krimit, për këtë arsye sasia e drogës së kapur është shumëfish më tepër sesa në kohën e atyre që bërtasin, nga janari në mars është kapur një sasi e tillë kanabisi sa nuk është kapur nga janari në shtator të 2013-s, nga qeveria e kalua " tha Tahiri duke theksuar se "është ndaluar tentativa e parë për të trafikuar drogë me avion."
"Po kryen të gjitha hetimet për të zbardhur këtë trafik të mbetur në tentativë. Dua të bëj me dije se nuk ka dhe nuk ka pasur avion fantazëm, avioni është regjistruar në të gjitha institucionet përkatëse. Dua të bëj me dije se të gjitha pikat e kontrollit kanë qenë funksionale." -- u shpreh Tahiri
"Nuk është e vërtetë që prokurorët janë mbajtur larg nga policia." -ka sqaruar ai duke shtuar se: "Rrethimi i zonës është bërë për të kapur personin që u largua nga vendngjarja"
Ministri i Punëve të Brendshme iu përgjigj edhe pyetjes se nuk do të japë dorëheqjen. Duke iu drejtuar gazetarëve, tha: " E pres jo pa humor pyetjen tuaj dhe kam vënë re se opozita është mjaft e nxitur të gjejë përgjegjës brenda Policisë së Shtetit. Ne sot jemi më të fortë pikërisht se u dëshmojmë shqiptarëve një standard sigurie dhe ata që kanë bërë qejf me trafikun e drogës, sot po hasin vështirësi nga policia shqiptare dhe institucionet".