A1 Report - Min.Mbrojtjes merr nen ruajtje fushen e aviacionit ne Korçe

2015-08-22 3

KORÇË - Forcat e Armatosura Shqiptare kanë marrë në ruajtje fushën e aviacionit në fshatin Lumalas të Korçës. Sipas të dhënave nga Detashmenti i Mbrojtjes Rajonale, ushtarët kanë marrë në ruajtje këtë fushë aviacioni duke kryer patrullime të shpeshta në të gjithë hapësirën e fushës së aviacionit e cila ka dalë jashtë funksionit prej viteve '90.

Mësohet se ushtarët kanë marrë një urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes të kryejnë patrullime deri në orët e vona të mbrëmjes dhe nuk do lejojnë askënd të hyjë në këtë fushë aviacioni,përfshi edhe mediat.

Të njëjtat burime saktësojnë se ditën e nesërme,ashtu siç ndodhi edhe në Gjadër, blloqe betoni do të bllokojnë edhe këtë fushë aviacioni ndërsa mbetet mister fakti i kësaj ndërhyrje nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes.

Akuzat e shpeshta për drogë të bëra në media nga ana e opozitës kanë bërë që ushtria të ndërhyjë në aeroportet e vendit dhe të marrë në ruajtje të plotë ato me qëllim rritjen e sigurisë.