Tiranë-Defekti i avionit ka dështuar operacionin e trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Në orën 14:40 minuta te 10 majit 2014, një avion i vogël me një pilot italian është rrëzuar në plazhin e Divjakës, duke ngritur në këmbë policinë e shtetit.
Lajmi bëhet publik në media rreth orës 15:54 minuta. Ngjarja nuk është konsideruar aksidenale nga policia, e cila rrethon plazhin me dhjetëra efektivë, ndërsa në zonë fluturojne edhe helikopterë. Forcat e rendit ndalojne qarkullimin për në hyrje të pyllit të Divjakës, ndërsa nis një aksion që rezulton në zbulimin dhe bllokimin e një automjeti me 460 kilogramë drogë.
Shtetrrethimi i Divjakës zgjat për disa orë.
Arrestohet Giorgio Riformatto, piloti dhe pronari italian i avionit tip 'Piper' dhe Sajmir Bajrami, drejtuesi i një automjet tip 'Mitsubishi' i cili ishte ngarkuar me 460 kg drogë.
Dy orë më pas ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri del në një konferencë për median për të tregur detajet e operacionit.
Në orët e mbrëmjes mësohet se Sajmir Bajrami ka pranuar se ishte korrieri i drogës, dhe se ngarkesa prej 460 kg do t'ia dorëzonte shtetasit italian dhe do të transportohej në avion. Nga ana e tij Giorgio Riformatto ka mohuar të ketë lidhje me drogën dhe se kishte ardhur në Itali për vizitë.
Po kështu në mbrëmje një grup hetimor shkon në aeroportin e Rinasit dhe sekuestron të gjithë dokumentacionin e hyrje-daljeve të avionit të rrëzuar.
I gjithë operacioni ndiqet e vëmendje edhe nga politika. Ish kryeministri Berisha dhe kreu i PD-së Lulzim Basha e quajnë provë të kauzës së tyre por dhe të mashtrimit, dhe kërkojnë hetim. Nga ana tjetër Kryeministri Edi Rama e quan provë të faktit se Policia e Shtetit është në krye të detyrës.
Presidenti Bujar Nishani therret në takim kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Avioni sipas ALB Control ka kërkuar leje më 5 maj dhe më 8 maj ka mbërritur në Rinas, ku ka qëndruar për 2 ditë. Pasdreken e datës 10, avioni me pronarin italian ka lënë pistën e Rinasit dhe më pas u gjet i aksidentuar në palzhin e Divjakës.
Sipas deklaratës së Ministrisë, shtetasi shqiptar Sajmir Bajrami i cili jetonte në Itali prej vitesh ka mbërritur në Shqipëri në të njëjtën datë me shtetasin Italian Giorgio Riformatto, pronarin e avionit.
Kjo deklaratë ngre dyshime për një bashkëpunim mes dy të arrestuarve për organizimin e ndonjë trafiku të mundshëm në bashkëpunim.
Megjithatë detajet e dhëna nga Ministria e Brendshme janë të pakta dhe pritet që në orët në vijim të jetë policia e shtetit ajo që do të sqarojë të gjithë ngjarjen pas hetimeve më të hollësishme.
Rrëzimi i avionit pikërisht në vendin ku Partia Demokratike prej kohësh ka denoncuar trafikun ajror të drogës ngre dyshimet për vërtetësinë e tyre, por sipas Minstrisë së Brendhme avioni i vogël që u aksidentua vinte për herë të parë në Shqipëri.