A1 Report - Peleshi: 29 Nentori, pasaporta jone europiane, te rinjte fokus i festimeve

2015-08-22 1

TIRANE -- Në 70-vjetorin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, 29 Nëntori do të jetë data ku aktivitetet do të kulmojnë për të përkujtuar çlirimin e vendit. Nga mbledhja e Komisionit Shtetëror për përkujtimin e Ngjarjeve Jubilare gjatët vitit 2014, zëvendskryeministri Niko Peleshi, e cilësoi këtë datë historike si "pasaportën evropiane të Shqipërisë".

"Lufta që u kurorëzua me çlirimin e Shqipërisë në 29 nëntor është padyshim një nga kapitujt më të lavdishëm të historisë sonë. Kjo luftë ishte pasaporta evropiane e Shqipërisë dhe ne kemi detyrimin ta përkujtojmë këtë moment historik me dinjitetin që ai meriton", u shpreh Peleshi.

Filozofia e organizimit të aktiviteteve për 70-vjetorin e LANÇ do të jetë përfshirja e brezit të ri për të mbajtur gjallë vlerat dhe sakrificat e atyre që luftuan për çlirimin e vendit.

"Natyrisht, që në qendër të çdo aktiviteti duhet të jetë sakrifica e atyre që luftuan dhe dhanë jetën e tyre për çlirimin e vendit," u shpreh ai. "Por ne jemi përpjekur të kemi në fokus të gjithçkaje përfshirjen e të rinjve dhe te brezit të ri. Lidhja e brezit të ri me vlerat dhe të vërtetat e asaj lufte është bërë gjithnjë e më e zbehtë, ndërkohë që për brezin e fëmijëve që po rriten sot, ajo luftë i përket thjesht një historie të largët për të cilën mund të kenë parë ndonjë film apo lexuar ndonjë gjë në shkollë, por që nuk ka për ta asgjë konkrete. Ne besojmë se shteti shqiptar, qeveria shqiptare ka detyrimin të mbajë gjallë vlerat dhe sakrificat e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Do të ishte e pafalshme për të gjithë ne nëse do të lejonim që fëmijët tanë të rriten duke injoruar sakrificën e gjyshërve të tyre të cilët në moshë fare të re kishin guximin dhe idealin për të luftuar, jo për politikë, jo për përfitime personale e as për parti, por për çlirimin e vendit. Një pjesë e madhe e aktiviteteve që propozojmë janë udhëhequr pikërisht nga kjo filozofi, për të mbajtur gjallë në mendjet e brezit të ri rëndësinë e LANC, për të ripërtërirë tek ta mesazhin origjinal të asaj lufte, për të përcjellë mesazhin e idealizmit, dëshirës për paqe e liri që e udhëhoqi atë të cilat janë vlera të domosdoshme për një integrim të vërtetë në Europë", tha zv.kryeministri Niko Peleshi.

Në mbledhjen e Komisionit Shtetëror për Përkujtimin e Ngjarjeve Jubilare gjatë vitit 2014, të zhvilluar nën drejtimin e Zv.Kryeministrit Niko Peleshi ishin të ftuar përfaqësues të shoqatave të veteranëve, të botës akademike, por edhe të grupimeve të ndryshme politike.

Free Traffic Exchange