Marrëveshja VMRO-BDI e ulët dhe në kundërshtim me premtimet parazgjedhore

2015-08-22 1

Marrëveshje jashtëzakonisht e ulët, dhe në kundërshtim me premtimet kryesore parazgjedhore. Kështu e vlerëson marrëveshjen për formimin e Qeverisë së re mes BDI-së dhe VMRO DPMNE-së akademiku Abdylmenaf Bexheti.

"Thjesht mund të them së është marrëveshje jashtëzakonisht e ulët, është një pazar shumë i ulët, margjinalizim i skajshëm, mospërmbushje e premtimeve bazike konceptuale për të gjitha ato pretime që janë dhënë'", deklaroi Abdylmenaf Bexheti, akademik.

Akademiku Bexheti, madje si nënshkrues i apelit nëpërmjet cilit kërkohej nga BDI që të mos heq dorë nga kërkesat e saj gjatë negociatave, thotë se BDI-ja e Ahmetit, rekordin e saj historik prej 19 deputetësh, e shndërroi në marrëveshje rekord negative.

"Ne kishim një ndjenjë edhe unë personalisht..kishim ndjenjë se do të ndodh një gjë e tillë dhe në atë funksion e bëmë atë apel. Nëse lexoni me kujdes tërësinë konzistente të apelit, ku thuhet se edhe ashtu statusi i shqiptarëve është krejtësisht i margjinalizuar, momenti i dytë është se i tërhiqet vëmendja subjektit shumicë se gjithë këtë kapital politik që akumuloi pa u futur në analizë në ç'mënyrë u akumulua, sa janë legale, sa janë legjitime, por thjesht u mbulua një kapital që ata than se është rekord historik. Në rekordin historik rezultoi një marrëveshje rekord negativ në peshën specifike të bashkëqeverisjes", tha Abdylmenaf Bexheti, akademik.

Për analistin Alajdin Demiri marrëveshja e re për qeverinë i ngjan një marrëveshjeje klandestine.

"D.m.th kjo më shumë i ngjan një marrëveshjeje klandestine se sa një marrëveshje të një qeveria. Aq më shumë se janë marr vesh për proceset integruese, ku platforma e BDI ishte për integrimet në BE, ndërkaq platforma e VMRO-së ishte nuk e ndërrojmë emrin, identitetin nuk e japim, që do të thotë përsëri është diçka ilegale dhe jo-profitabile për Maqedoninë",u shpreh Alajdin Demiri, analist.

Demiri shprehet i zhgënjyer që BDI devijoi edhe nga kërkesa për zgjedhjen e presidentit konsensual.

"Kjo marrëveshje është avaz i vjetër, u ulën Gruevski dhe Ali Ahmeti u morën vesh por për çka u morën vesh përsëri nuk është transparente dhe jo konform kërkesave që i kishin edhe njëra dhe tjetra parti. Si duket Ali Ahmeti me kërkesën për president konsensual e kërkoi ku nuk ishte dhe tani ku mund të kërkojë nuk e kërkon", tha Alajdin Demiri, analist.

Demiri madje thekson se Ahmeti dhe Gruevski edhe një herë dëshmuan se përpara interesave të popullit vendosin interesat dhe përfitimet e tyre personale. Semra Jakupi

Free Traffic Exchange