Superoperacion në Divjakë, kapet avioni që transportonte drogë

2015-08-22 8

Tiranë- Një superoperacion i policise ka bllokuar një avion në Divjakë të Lushjes, i cili sipas bluve fluturonte pa leje në hapësirën ajrore shqiptare.
Burime nga policia bëjnë me dije se piloti i avionit tip "Piper" është një shtetas italian,Giorgio Riformatto, ndërsa dyshohet se avioni transportonte lëndë narkotike.
Kjo pasi në zonën ku ka qenë i ulur avioni është gjetur një makinë me 2 ton hashash.Policia nuk ka prova që mund të përfshijnë avionin në këtë ngjarje, por avioni nuk mund të niset.
Ndërkohë Aviacioni Civil, në një reagim lidhur me ngjarjen ben me dije se avioni i bllokuar në Divjakë ka leje fluturimi në hapësirën shqiptare. Sipas këtij autoriteti, "Leja e fluturimit mban nr. 193 dhënë më 05.05. 2014".
Avioni ishte ndalur në aeroportin e Rinasit me leje fluturimi, ndërsa ditën e sotme në orën 13:00 ishte nisur për një fluturim drejt jugut, por Kulla e Kontrollit e ka humbur kontaktin. Piloti mësohet se ka treguar se ka bërë ulje emergjente, pasi avioni kishte pesuar nje avari.
Forca të shumta policie janë përfshirë në këtë operacion, ndërsa e gjithë rruga që të çon për në Divjakë është e mbushur me postblloqe policie, që kryejnë kontrolle të imtësishme.
Pas pak pritet që Ministria e Brendshme, të dalë në një konferencë për mediat, ku pritet të zbardhë dhe detaje mbi operacionin.