Monstra, prokuroria propozon si dëshmi postimet në Facebook

2015-08-22 0

Transkriptat dhe listat e telefonatave të të akuzuarve janë shqyrtuar në seancën gjyqësore për rastin Monstra. Telefonatat e propozuara si dëshmi nga prokuroria janë ndër dëshmitë e fundit në këtë proces gjyqësor. Avokati mbrojtës Naser Raufi shprehet se telefonatat nuk janë relevante dhe nuk dëshmojnë asnjë lidhje të akuzuarve me rastin. Pos kësaj, si dëshmi nga prokuroria, janë ofruar edhe postimet në rrjetin social Facebook të të akuzuarit Sami Luta. Postimet "Liri për Palestinën" dhe fotografi për Shqipëri Etnike janë konsideruar si të dyshimta nga Prokuroria. Por avokatët thonë se këto postime dhe fotografi janë të zakonshme në profilin e shumë shqiptarëve, dhe nuk mund të jenë aspak relevante.

'Ato janë të zakonshme, edhe unë i kam ato mbishkrime në Facebook. Bëhet fjalë për shije, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, janë të natyrshme dhe normale', tha Naser Raufi, avokat.

Raufi u shpreh gjithashtu se me shumë mundësi Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri që vuajnë arrestin në Prishtinë, e që akuzohen për rastin Monstra, nuk do të ekstradohen në Maqedoni.

'Ata do ta vuajnë dënimin, dhe sipas meje nuk do të vjen deri te ekstradimi, sepse siç kam thënë disa herë, Ministria jonë e Drejtësisë nuk ka depozituar prova të mjaftueshme se ata persona janë të përfshirë', deklaroi Naser Raufi, avokat.

Tashmë janë përmbushur 2 vite nga aksioni policor Monstra. Deri tani janë prezantuar të gjitha dëshmitë e Prokurorisë, që sipas mbrojtjes nuk janë të mjaftueshme të dëshmojnë përfshirjen e të akuzuarve në veprën për të cilën ngarkohen. Benjamin Arifi