Mirditë- Ka vrarë bashëshorten me një thikë dhe më pas është vetëvarur në një pemë. Krimi i dyfishtë ka ndodhur në Domgjon të komunës Fan në Mirditë. Viktimat jane Mark dhe Gjylestina Biba, përkatësisht 47 dhe 46 vjeç.
Xhelozia, dyshohet se është motiv i këtij krimi,kjo e faktuar edhe nga një leter që ka lënë të shkruar kryefamiljari.
"Fëmijët të jetojnë të qetë megjithëse unë kam kryer këtë krim. Kush ngre krye do ti këputet", mësohet të jetë përmbajtja e letrës, që fakton se gjithçka është kryer për xhelozi.
Krimi mendohet se është kryer mbrëmjen e të mërkurës, fakt që është vleësuar pas ekspertizës mjekoligjore të kryer në 2 kufomat.
Çifti Biba jetonte prej disa kohësh në fshatin Rinia të Durrësit sëbashku me 2 fëmijët e tyre, ndërsa kishin udhëtuar drejt vendlindjes 1 ditë më parë.
Ajo që është dukur si një udhëtim normal ka përfunduar në mënyrë tragjike për çiftin Biba. Ka qenë një banor i zonës që kishte shkuar për të ftuar për kafe çiftin, por ka konstatuar trupin e pajetë të 47-vjeçarit të varur në pemë pak metra larg stanit ku ishin ndaluar, ndërsa brenda tij ka gjetur të vdekur edhe bashkeshorten e tij, e cila ishte e therur me thikë.
" Tash 13 vjet që jetojnë në Durrës, kanë shtëpinë, kanë dy fëmijë, kanë ardhur të mbjellin këtu tek stani prej 3 vjetësh. Tani ndodhi kjo ngjarje"u shpreh banori i zonës që gjeti trupat e pajetë .
Familjarët e viktimave kanë bërë të ditur se prej 3 vitesh ka patur konflikte mes çiftit, por për shkak të largësisë nuk e mësuan asnjëherë arsyen.
"Probleme kanë pas ata. Vinin e punonin, shkonin e vinin, me motor vinin"tha Prend Biba, xhaxhai i viktimës.
Sipas policisë mendohet se në gridje e sipër Mark Biba ka qëlluar me thikë bashkëshorten e tij, duke e lënë të vdekur.
Në tronditjen e këtij krimi të kryer prej tij, 47- vjeçari ka marrë një litar dhe e ka lidhur në pemë dhe me pas është vetëvarur.
Para se ti jepte fund jetës, Mark Biba ka lënë edhe një shënim që duket se është shkruar në shpejtësi pasi ka gabime të shumta, duke shpjeguar arsyet që e detyruan atë të vrasë bashkëshorten dhe me pas veten.
Banorët e zonës kanë bërë të ditur se nuk kishin dëgjuar asnjë britmë që të dilte nga shtëpia ku po qëndronte çifti Biba dhe se nuk ishin në dijeni të ndonjë konflikti mes tyre.