Intelektualët shqiptarë: Të respektohet vota shqiptare

2015-08-22 1

'Të respektohet vullneti i shumicës së votuesve shqiptarë. Partitë fituese në dy kampet politike, në rastin konkret VMRO-DPMNE dhe BDI të formojnë koalicionin e ardhshëm qeveritar." Ky është apeli i akademikëve shqiptarë Ali Aliu, Alajdin Abazi dhe Abdylmenaf Bexheti të mbështetur nga Rektori i USHT-së Vullnet Ameti, Kryetari i Odes Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore Menderez Kuçi dhe disa intelektualë si Xhevdet Hajredini, Naser Ziberi, Ismet Ramadani dhe Albert Musliu. Këtë qëndrim ata e kanë shprehur përmes një letre publike.

"Nëse shqiptarët nuk do kenë në pushtet partinë për të cilën janë përcaktuar si shumicë, ata në të vërtetë mbeten pa orientuesin më elementar të vullnetit të vet politik, mbeten pa përcaktuesin e sjelljes së tyre politike, respektivisht nuk e kanë kriterin themelor të statusit të vetë politik.
Në këto rrethana, përfitojmë nga rasti për t'u bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, veçanërisht VMRO DPMNE-së, BDI-së dhe PDSH-së, që të sillen në përputhje me mandatin e marrë, si dhe miqve tanë ndërkombëtarë që ta lehtësojnë këtë proces drejt stabilizimit të demokracisë dhe forcimit të besimit të ndërsjellë, edhe ashtu të brishtë në këtë shtet multietnik', thuhet në letër.

Akademikët, pa përmendur emër konkret në letër, theksojnë se BDI-ja duhet që qëndrojë e palëkundur, pavarësisht faktit nëse ndonjë parti tjetër, pa vullnetin e shqiptarëve, hyn në lojëra me partinë maqedonase. Apel të posaçëm, akademikët i drejtojnë edhe NATO-s dhe BE-së, që në këto momente vendimtare, të mos vendosin më pikëpyetje atë që ndërtuar me vite edhe me angazhimin dhe investimin e tyre.

"Kërkojmë nga BDI-ja, që në asnjë mënyrë të mos shkelë mbi vullnetin 153 000 votuesve që e mbështetën atë dhe të mos pranojë pozicion inferior në qeveri dhe mbi të gjitha, të mos e përbuzë këtë vullnet duke u bërë instrument i ndonjë partie maqedonase, pa marrë parasysh, presionet, shantazhet dhe lojërat e ndryshme politike që mund të luhen me ndonjë parti tjetër, që nuk e ka vullnetin e popullit shqiptar.... Mbi bazën e parimeve që u fitua shumica e përkrahjes politike duhet mbetur konsekuent për pjesëmarrje në qeverisje", shkruan mes tjerash ën letrën e intelektualëve.

Sipas Akademikëve, verdikti i popullit është dhe duhet të mbetet mbi çdo interes partiak apo individual. Ata presin që edhe PDSH-ja të respektojë 66 000 votat shqiptare dhe të luajë rol konstruktiv në proceset politike në përputhje me interesat kombëtare dhe shtetërore.

Bedri Rexhallari