TIRANE- Ish-të përndjekurit politikë të cilët kanë protestuar paraditen e sotme para Parlamentit, janë përplasur edhe me deputeten e PD-së Mesila Doda, e cila i është bashkuar protestës. Me ftesë të disa prej protestuesve deputetja Doda është takuar me ta, por është kundërshtuar me disa protestues të tjerë, të cilët i kanë kërkuar të largohet, për të mos e bërë çështjen politike.
Situata është bërë e nxehtë pas reagimeve të ish-të përndjekurve të cilët i kanë kërkuar deputetes demokrate të tregojë se çfarë ka bërë qeveria e Berishës në 8 vite që ishte në pushtet.
"Largohu mos bëj incident. Nuk duam rryma politike këtu, nuk duam përfshirjen e politikës, duam lekët. Mashtruat boll kur ishit në pushtet. Ke qenë në pushtet, më thuaj ti çfarë i ke dhënë kësaj shtrese. E dogjët Lirak Bejkon e latë familjen në mes të rrugës ku ishe ti", i tha ish-i përndjekuri politik deputetes Mesila Dodës.
Ndërsa deputetja demokrate tha se opozita do të mbështesë ish-të përndjekurit në realizimin e kërkesave të kësaj shtrese.
"Me kërkesën e një pjese të ish-burgosurve na thirrën që të japim mbështetjen ndaj tyre. Kemi filluar një proces, ishte e vetmja herë që filloi një proces për riintegrimin e tyre, e dhënies së një mundësie ekonomike ndaj tyre. Do duhej të kishim bërë më shumë., por ishte procesi i parë dhe i vetëm ndaj tyre. Çdo tentativë për të glorifikuar figurën e diktatorit do hasi një pengesë nga opozita", tha Doda.
Pas kësaj situate, ish-të përndjekurit kanë mbyllur protestën, ndërsa kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave dhe grevë nëse nuk do të merren parasysh kërkesat e tyre nga qeveria.
DEBATI
Ish-i përndjekuri politik: Më thuaj çfarë keni propozuar ju për këtë shtresë, keni mashtruar
Mesila Doda: Ju e dini shumë mirë që nuk jeni të burgosur ekonomik jeni politik
Ish-i Përndjekuri Politik: Shoqe
Mesila Doda: Unë nuk jam shoqe jam zonjë
Ish-i përndjekuri: Ti ofendohesh se të thashë shoqe ju na keni ofenduar 20 vjet. Me ca jetoj unë me frymë, plehrë ...Çfarë ke bërë ti moj plehrë, moj injorante... Çfarë thashë unë "Shoqe", ajo na ka mashtruar 20 vjet, plehra.
PROTESTA E ISH-TE PERNDJEKURVE, PARALAJMEROJNE GREVE
Ish-të përndjekurit politikë kanë nisur sot një tjetër protestë përballë Parlamentit, ndërsa kanë paralajmëruar greve 24-orëshe. Sipas tyre kjo grevë urie do të fillojë sot në rast se ata nuk takohen me ministrin e Mirëqenies Sociale Erion Veliaj, ose me kryeministrin Edi Rama.
Ish-të përndjekurit kërkojnë dëmshpërblim nga qeveria, ndërsa janë shprehur se nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh, do të përshkallëzojnë protestat.
Ndërkaq, policia ka ndaluar ish-të përndjekurit politikë të kalojnë para Parlamentit duke krijuar një kordon me policë.