PERMET- Nderimi me grusht lart i fëmijëve pas ceremonisë zyrtare në përkujtim të dëshmorëve të rrethit të Përmetit, ka qenë e ideuar, nga një punonjës bashkie. Këtë e konfirmon vetë kryebashkiaku përmetar Gilberto Jaçe, në një prononcim për "A1 Report". Jaçe shprehet se fëmijët kanë qenë prezent dhe të thirrur nga bashkia për të qenë pjesë e dekorit të përkujtimit të të rënëve, ashtu sikurse në çdo rast të ngjashëm.
Sipas tij, përgjatë ceremonisë me protokoll shtetëror, nxënësit kanë qëndruar të heshtur pa kryer asnjë lloj veprimi pranë varreve të dëshmorëve, ndërkohë që fotoja me grushtin lart, është fokusuar, fill pas mbarimit të aktivitetit përkujtimor.
Punonjësi i bashkisë, ka dashur të bëjë humor me prezencën e nxënësve duke iu thënë të çonin grushtin lart, ndërkohë që kaq ka mjaftuar dhe fotoja të qarkullonte në rrjetin social fillimisht të punonjësit të bashkisë, e më pas të postohej në statuset e tjera të "Facebook-ut", një prej të cilave edhe tek statusi i kryebashkiakut përmetar Gilberto Jace.