Vrau një dhe plagosi një tjetër në Lurë, arrestohet në Mirditë

2015-08-22 9

Mirditë- Arrestohet autori i vrasjes së një personi dhe plagosjes së një tjetri rreth një javë më parë në zonën e Lurës në Dibër. 34-vjecari, Ilir Rajta, u vu në pranga mbrëmjën e së mërkurës nga policia e Mirditës në bashkëpunim me forcat RENEA. Burime të policisë bëjnë me dije për Ora News se Ilir Rajta u arrestua falë informacioneve të siguara në rrugë informative se 34-vjeçari fshihej në malet e Bulsharit, në zonën e Oroshit në Mirditë. Mësohet se nuk ka pasur rezistencë nga ana e tij në momentin e ndërhyrjes së polisë dhe forcave RENEA.

34-vjeçari akuzohet si autor i vrasjes me automatik të shtetasit, Shpendi Skana dhe plagosjen e 33-vjeçarit Ndriçim Cuku.

Ngjarja u shënua më 30 prill pas një konflikti mes viktimës dhe autorit të krimit. Një konflikt që nisi në ambjentet e një lokali në Lurë, më pas Ilir Rajta është drejtuar për në banesën e tij dhe pasi ka marrë armën e zjarrit tip automatik, është rikthyer duke qëlluar me dy plumba në gjoks,34 vjeçarin Shpendi Skana, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ai nuk kurseu plumbat as për 33-vjeçarin, Ndriçim Cuku, i cili kishte ndërhyrë për të shuar konfliktin por mbeti i plagosur rëndë.

Pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Lurës, Cuku u transportua me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.