TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste Namik Dokle ka shuar të gjithë zhurmën e bërë këto ditë nga Partia Demokratike për fotot ku Pandeli Majko shfaqet me grushtin lart gjatë homazheve të bëra në 5 maj Ditën e Dëshmorëve. Në Komisionin Parlamentar të Jashtëm, Dokle ka rrëfyer bisedën me fotografin e fotos, i cili i ka pohuar se ky moment nuk ka pasur prapaskena politike, por ka qenë për shaka.
"Mua më ka treguar fotot ai që ka bërë fotografinë atje me grusht, madje më ka dërguar fotografinë në "FB" dhe thotë "për t'u tallur i thashë Majkos bëj me grusht dhe e nxora në fotografi". Edhe nxënësit në Përmet i mësoi ndonjë mësues, ku e di unë kush ka qenë. Pse siç thoni ju qeveria I ka urdhëruar nxënësit në Përmet?", tha Dokle.
Por debatet kanë vijuar dhe më tej mes anëtarëve socialistë dhe demokratë duke iu referuar dhe rastit të ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço në Berat.
Pasi socialistët kanë hedhur poshtë të gjitha pretendimet se fotot kanë pasur tendencë provokative i kanë kujtuar specifikisht Bumçit, se në 2011 PD ka marrë votat e komunistëve në zgjedhje.
Bumçi tha se "Ministrat përkulen para diktatorit. Dhe kjo është me fotografi. Ministri i Drejtësisë përkulet para fotos".
Në përgjigje deputetja Leskaj tha se "ju harruat kur bëtë marrëveshje në zgjedhje me Partinë Komuniste. Kujt ia thua këto".
Ndërsa Dokle shtoi "keni marrë 1800 vota nga Partia Komuniste. I mori Lulzim Basha, e kishit në koalicion".