TIRANE -- Kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi është vënë sot në akuzë nga opozita se ka qëlluar për vdekje një qytetar grek gjatë operacionit policor të vitit 199 ndaj Flamur Pislit, shqiptarit që mori peng një autobus me pasagjerë nga Shqipëria drejt Greqisë.
Akuza ndaj kryepolicit Didi vjen në mbledhjen e sotme të komisionit hetimor për lëvizjet në Polici, ku u ilustruan në videoprojektor pamjet e vrasjes së Pislit në autobusin që sapo kishte lënë Elbasanin, gjatë operacionit policor në Krrabë.
Ishte kreu i komisionit hetimor, Arben Ristani ai që kërkoi marrjen në shqyrtim të kësaj video, pasi sipas tij pamjet hedhin dyshime se është vetë kryepolici Didi ai që ka qëlluar ndaj Jorgos Kurluris, një nga pasagjerët e autobusit të marrë peng.
Ristani: Didi dyshohet se është i përfshirë në një veprim që për ne është kriminal pasi ekzekuton një njeri të pafajshëm gjatë një operacioni policor"
Kreu i Komisionit, Arben Ristani e ka quajtur vdekjen e pengut "ekzekutim pa gjyq të një djali të ri të pafajshëm". Ristani u shpreh se video në fjalë është siguruar nga Greqia.
Ndërsa deputeti Flamur Noka është çuar në këmbë për të ilustruar në videoprojektor personin që qëllon me armë dhe që opozita dyshon se është kryepolici Didi.
Pamjet, të cilat opozita i konsideron si prova të forta kundër Drejtorit të Policisë së Shtetit, pas shqyrtimit të mëtejshëm në komisionin hetimor, do t'i paraqiten Prokurorisë.