TIRANË- Duke filluar nga dita e somte, qytetarët shqiptarë të Kosovës dhe Luginës së Preshevës nuk kanë nevojë të aplikojnë për leje pune për të punuar në Shqipëri.
Kjo është bërë e ditur nga ministri i Mirëqenies dhe Rinisë, Erjon Veliaj në një deklaratë për mediat sot në mesditë. Ky vendim është marrë sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku është bërë edhe një ndryshim thelbësor.
Kështu, qytetarët e Kosovës dhe Luginës së Preshevës nuk kanë nevojë të ndjekin një proces burokratik aplikimesh për të marrë një leje pune sepse VKM-ja e sotme ia ofron mundësinë për të punuar në Shqipëri çdo shtetasi nga Kosova dhe Lugina e Preshevës.
"Kjo është arsyeja pse çdo student, djalë apo vajzë e re që studion në Shqipëri dhe gjen një vend pune, do ta bëjë këtë pa burokracinë e kërkimit të lejeve të punës ose përshtatjes me kuotat e punësimit të punëtorëve të huaj që ka Shqipëria me vendet e tjera", u shpreh ministri Veliaj pas mbledhjes së këshillimit të Ministrave.
"Qeveria e kaluar i trajtonte ata sipas ligjit për të huajt dhe punësimin e të huajve, ndërsa qeveria jonë nuk i konsideron si të huaj qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës"- tha Veliaj.
Sipas Veliaj, 80 për qind e aplikantëve për punë nga Kosova janë biznesmen të sipërmarrjes së mesme dhe të vogël.
"E di që kritikët thonë se nuk ka vende pune mjaftueshëm për qytetarët e Shqipërisë, e jo më për ata të Kosovës dhe Preshevës, por dua t'ju informoj se 80% e kërkesave që ne kemi për leje pune në Shqipëri nga qytetarët e Republikës së Kosovës ose Luginës së Preshevës vijnë nga biznesmenë. Pra, njerëz që aplikojnë dhe krijojnë vende të reja pune teksa ngrejnë bizneset e tyre", nënvizoi Veliaj.